Lidhje

Qeveria, opozita dhe analistët diskutojnë buxhetin


Opozita tha se projekt-buxheti i ri është jorealist dhe i mbushur me spekullime.

Parlamenti shqiptar po diskuton sot projekt-buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.
Kryeministri Sali Berisha tha se “ky projekt-buxhet rrit mirëqenien e qytetarëve në shumë fusha, ekonomi, infrastrukturë, arsim, bujqësi dhe çdo borxh i marrë ka shkuar për investime, që e nxjerrin fitimin e tyre”.

Qeveria dhe opozita shkëmbyen kritika për investime dhe borxhe që do të mbarten, duke vështirësuar vitin e ardhshëm.Por opozita tha se projekt-buxheti i ri është jorealist dhe i mbushur me spekullime, ku tema më shqetësuese është shtimi i borxheve dhe heqja e kufijve për të.

Deputetja socialiste Mimi Kodheli tha se “qeveria merr borxhe pa kufi dhe me to mburret se po rrit ekonominë dhe se sa shumë para ka në kuletë”.

Edhe analistët e ekonomisë kanë pikëpamje të ndryshme për rritjen e borxhit publik. Qeveria dhe opozita diskutuan sot në parlament projekt-buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm midis mospajtimeve të thella se si duhet investuar dhe se si duhen shlyer borxhet.

Nga ana tjetër, analisti i çështjeve ekonomike dhe përfaqësues i organizatës “Biznes Albania”, Bardhi Sejdarasi, thotë se heqja e tavanit të borxhit është një nga problemet kryesore të këtij buxheti. Banka Botërore ka rekomanduar shlyerjen sa më parë të borxheve të vjetra dhe uljen graduale të stokut të borxhit. “Qeveria duhet të planifikojë sa më parë paratë që do t’u kthejë borxhlinjve vendas dhe të huaj për punë publike të kryera prej tyre në rretj 200 milionë euro” - thotë ai.

Zoti Sejdarasi thotë se problemi i dytë është mënyra se si ka menduar qeveria që të investojë, duke u mbështetur tek të ardhurat e mbledhura. Sipas tij, qeveria mendon të mos kthejë borxhet, të marrë borxhe të reja për të nxitur ekonominë me investime në objekte tashmë të fillura dhe të vonuara. Por “nxitja më e mirë për ekonominë, - thotë ai, - do të ishte pikërisht shlyerja e borxheve investitorëve, që ata së pari të ndjehen më mirë me bizneset e tyre dhe të vazhdojnë punët më tutje”.



Ndërsa analisti tjetër, Gjergj Buxhuku, përfaqësues i organizatës “Alb-Konfindustria”, mbështet idenë e heqjes së tavanit të borxhit prej 60 për qindësh. Ai thotë se buxheti i ri është një buxhet emergjence, ndërkohë që ky vit ishte më i vështiri nga të pesë vitet e krizës ekonomike europiane dhe globale.

Zoti Buxhuku thotë se edhe viti 2013 parashikohet të jetë një tjetër vit i vështirë, prandaj kur “bankat ka në ulur kreditimin në kufij minimalë historikë dhe qytetarët kanë ulur konsumin. Këto të dyja mund të sjellin një bllokim të ekonomisë, prandaj e vetmja nxitje për ekonominë mund të vijë nga investimet publike, ndërkohë që vitin tjetër nuk priten as privatizime të suksesshme dhe zgjedhjet parlamentare janë pas 6 muajsh”. Sipas tij, nëse ndalojnë edhe investimet publike për të shlyer borxhet, siç propozon opozita, atëherë ekonomia do të përballet me vështirësi shumë herë më të mëdha.
XS
SM
MD
LG