Lidhje

Shqipëri ndryshime në qeveri


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha emëroi sot deputetin demokrat Flamur Noka ministër të Brendshëm, post i cili kishte mbetur vakant pas zgjedhjes së zotit Bujar Nishani si president i ri i vendit. Zoti Noka, 41 vjecar, është diplomuar për mjekësi, profesion të cilin e ka ushtruar vetëm tre vjet. E gjithë eksperienca e tij në punë përmblidhet në angazhimet në strukturat e partisë demokratike, ku aktualisht është dhe sekretar organizativ i saj.

Përveç emrit të zotit Noka, kryeministri i ka dërguar presidentit Topi edhe emrat e tre ministrave të tjerë të propozuar mbrëmë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ministër i Jashtëm i vendit do të jetë Edmond Panariti, nënkryetar aktual i Bashkisë së Tiranës, i diplomuar në mjekësi veterinare, me një karrierë akademike, por pa asnjë eksperiencë të mëparshme diplomatike. Ministri aktual Edmond Haxhinasto kalon tek ministria e Ekonomisë.

Në ministrinë e Shëndetësisë shkon deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, ku zëvëndëson zotin Petrit Vasili, i cili rikthehet për të mbuluar funksionet partiake. Jashtë kabinetit qeveritar mbetet ministri i Ekonomisë Nasip Naço, i cili pritet të rimarrë funksionin e nënkryetarit të parlamentit.
XS
SM
MD
LG