Lidhje

Berisha: Kërkesa për referendum, në shtator


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njoftoi sot se deputetët e koalicionit qeveritar do të dorëzojnë në parlament brenda dy javëve të para të shtatorit kërkesën për referendum mbi heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve, si një çështje që është ngritur vazhdimisht nga qytetarët shqiptarë dhe Bashkimi Europian. Zoti Berisha tha se kjo kërkesë për referendum vjen nga fakti se “Partia Socialiste, në pushtet dhe në opozitë, për afro 10 vjet ka penguar me mënyra nga më të ndryshmet përpjekjet për të hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë.

Zoti Berisha tha se, pavarësisht nga përkatësitë partiake, në tërësi qytetarët shqiptarë i duan zyrtarët e tyre pa imunitet, në mënyrë që t’i përgjigjen drejtësisë mbi dyshimet për korrupsion. Zoti Berisha tha se “kërkesa e deputetëve të shumicës do të bazohet në nenin 155 të Kushtetutës, që lejon qeverinë, 1/5 e deputetëve dhe 50 mijë qytetarë me nënshkrime të kërkojnë referendum”.



Por deputetë të Partisë Socialiste të opozitës deklaruan pas konferencës së kryeministrit Berisha se ata nuk janë kundër heqjes së imuniteteve. Deputetja socialiste Vasilika Hysi tha në bisedë telefonike për “Zërin e Amerikës”, se “opozita nuk është kundër heqjes së imuniteteve, por kërkon që kjo temë të bashkohet me çështje të tjera për të cilat kërkohet referendum, si zgjedhja e presidentit nga populli, mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe atë Kushtetuese, apo referendumi kundër importimit të mbetjeve”.

Zonja Hysi tha se kryeministri Berisha citon gabimisht nenin 155 të Kushtetutës që i takon referendumeve për çështje të thjeshta. “Për referendumet që kërkojnë ndryshime kushtetuese është neni 177, - thotë ajo - që kërkon 2/3 e votave të deputetëve, madje edhe pasi vendos parlamenti, brenda 60 ditësh Gjykata Kushtetuese shprehet për kushtetutshmërinë e këtij vendimi”.

Nga ana tjetër, kryeministri Berisha iu përgjigj pyetjeve edhe për shkarkimin e ish-drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. Si shkak të parë ai përmendi kohën 8-vjeçare në detyrë dhe pa mandat të përcaktuar të zotit Shaqiri, ndërsa shkaku i dytë, sipas tij, ishte mosinfomimi i qeverisë për dhunën që po përgatitej në 21 janar të vitit të kaluar. Zoti Berisha theksoi se bashkëpunimi me SHBA për çështje të sigurisë është në nivele shumë të mira dhe të shkëlqyera dhe do të forcohen akoma më tej. Opozita protestoi për shkarkimin e zotit Shaqiri, duke shprehur shqetësimin se me emërimin e ri në krye të SHISH zoti Berisha vazhdoi marrjen nën kontrollin e tij dhe të shumicës të institucioneve shtetërore kushtetuese.
XS
SM
MD
LG