Lidhje

Humbja në zgjedhje, Berisha lë drejtimin e PD


Lideri historik i së djathtës njoftoi dorëheqjen sot në mbrëmje, pas 22 vitesh në krye të demokratëve. “Nuk është lamtumirë. Do ndihmoj PD të rikthehet në pushtet”. Urime dhe zotit Rama.

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha deklaroi sot dorëheqjen nga detyra e kryetarit të partisë demokratike, funksion të cilin ai e ka mbajtur për 22 vite rresht që nga themelimi i kësaj force menjëherë pas rënies së komunizmit dhe vendosjes së pluralizimit politik ne vend. Dorëheqja erdhi pas humbjes së thellë që koalicioni i djathtë i drejtuar nga zoti Berisha pësoi në zgjedhjet e së dielës së shkuar.

Duke ju drejtuar mbështetësve të partisë së tij, ndërsa disa qindra prej tyre ishin mbledhur përpara selisë së demokratëve, ai tha se të gjithë ata kishin punuar fort “sikundër dhe unë jam përpjekur të bëj më të mirën për fitoren. Por kjo nuk ndodhi. Ne i humbëm zgjedhjet dhe tërë pëgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi mua”, u shpreh zoti Berisha duke deklaruar se ai do të mbetet një anëtar i partisë demokratike dhe deputet i saj. “Duke pranuar rezultatin i uroj kundërshtarit mbarësi në detyrën e lartë dhe shqiptarët të gëzojnë një jetë më të mirë”, tha ai, ndërsa shpjegoi se do të vazhdojë të përmbushë me angazhim drejtimin e qeverisë deri në shtator kur sipas ligjit duhet të mbledhet parlamenti i ri i cili do të votojë edhe ekzekutivin e zotit Rama.

Lider historik i së djathtës, zoti Berisha saktësoi se nuk bëhej fjalë për një dalje të tij nga skena politike. “Do të punoj me përkushtim të madh me ju dhe me lidershipin, për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë vlerat e programit tonë, për ta shndërruar në një program të shumicës të shqiptarëve. Ndaj mos e merrni si një lamtumirë. Nuk është e tillë. Nga unë nuk do e dëgjoni se nuk do e lexoja dot kurrë”, u shpreh kryeministri. Ai saktësoi se do të vazhdojë të qëndrojë në “në timonin e PD për të organizuar zgjedhjet për lidershipin e ri të cilin do ta mbështesim të gjithë së bashku dhe të ecim nën udhëheqjen e tij në fitoren e betejës më të afërt elektorale”.

Partia demokratike është një forcë politike e cila në gjithë këto vite ka mbajtur imazhin e zotit Berisha, I cili duket se do të kujdeset për të bërë një kalim të butë dhe jo traumatik në drejtimin e saj, ku më I favorizuari duket kryebashkiaku aktual i Tiranës, zotit Lulzim Basha, një figurë që u përfshi në politik në vitin 2005 dhe që nga ai moment njohu një ngjitje të shpejtë në nivele të larta qeverisëse, falë mbështetjes së dukshme të zotit Berisha.
XS
SM
MD
LG