Lidhje

Pengohet prishja e një pjese të Murit të Berlinit


Protestuesit në Berlin po përpiqen të pengojnë shkatërrimin e njërit prej segmenteve më të gjatë që kanë mbetur nga Muri i Berlinit, për të mos lejuar që aty të bëhen ndërtime. Por ata përballen me një betejë të vështirë.

Muri i Berlinit ishte një kujtesë e hidhur e Luftës së Ftohtë. Ai u ngrit nga Gjermania Lindore komuniste në vitin 1961, për të mos lejuar qytetarët e saj të largoheshin për në Berlinin Perëndimor. Por sot, muri i cili dikur ndante dy Gjermanitë, është zhdukur thuajse tërësisht.

Përjashtim bën një segment - Galeria e Pjesës Lindore. Segmenti, mëse 1,5 kilometra i gjatë, përmban murale të artistëve nga e gjithë bota.

Por të premten, punëtorët filluan heqjen e një cope 22 metër të gjatë - hapi i parë i projektit për ndërtimin e një kulle apartamentesh luksoze.

Kjo është bërë shkak për protesta, ku morën pjesë 200 njerëz. Tre veta u arrestuan.

Kani Alvi është një artist, i cili ka aty muralet e tij. Ai thotë se muri është tepër i rëndësishëm si objekt historik dhe nuk duhet prekur.

"Ky është segmenti më i gjatë i mbetur nga muri. Nëse e prishim, nuk do të kemi prova për t'u treguar brezave të ardhshëm se sa i madh ishte muri dhe se si i ndau njerëzit. Ne duhet të vazhdojmë t'i edukojmë të rinjtë. Por pa murin, brezat e ardhshëm nuk do ta kuptojnë se si ishte ai në të vërtetë."

Kryebashkiaku i Berlinit nuk pranoi të komentojë. Por Volker Thoms, zëdhënës i firmës ndërtuese, Living Bauhaus, i tha Zërit të Amerikës se kompania e tij synon ta rindërtojë këtë pjesë të murit diku tjetër në pronën që ajo ka në zotërim. Ai vuri në dukje edhe diçka për të cilën është folur në shtyp dhe është përmendur nga banorët e Berlinit - se kjo tokë e vlefshme, për vite me rradhë është lënë e papërdorur.

Teknikisht muri është një objekt i mbrojtur historik. Por javën e kaluar, bashkia dha lejen për prishjen e një pjese të tij. Lajmi i befasoi turistët, mes tyre edhe disa studente nga Nju Jorku.

"Ne dëgjuam për këto plane sot dhe në fakt u habita," thotë Abby Seelig.

"U trondita nga lajmi. E morëm vesh sot në mëngjes kur po vinim këtu dhe mendojmë se është e tmerrshme. Sepse kemi të bëjmë me një pjesë monumentale të historisë. Prishja e murit për të ndërtuar diçka moderne është e tmerrshme," shprehet Ali Bergstein.

Reagime të ngjashme pati edhe nga qytetarët e Berlinit:

"Më duket e frikshme të veprohet kështu me një objekt kaq historik. Ata po ia ndryshojnë krejt karakterin qytetit. Mendoj se duhet ta kishin lënë si park për njerëzit dhe jo për një pakicë të pasurish që mund të blejnë apartamente të shtrenjta."

Protestuesit kanë thënë se do ta vazhdojnë në gjykatë betejën e tyre për të mbrojtur këtë pjesë të historisë së Luftës së Ftohtë.
XS
SM
MD
LG