Kryeministri italian thotë se plani i ri i qeverisë së tij për të shkurtuar shpenzimet dhe për të rritur taksat ka marrë miratimin e zyrtarëve të tjerë të lartë evropianë.
Kryeministri Silvio Berluskoni u tha dje agjencive italiane të lajmeve se ka folur me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me Presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, dhe që të dy i kishin thënë se e vlerësonin planin italian.
Kabineti i Berluskonit miratoi të premten një paketë masash shtrënguese prej 63 miliard dollarësh. Këto masa e shkurtojnë buxhetin 28 miliard dollarë vitin e ardhshëm dhe 35 miliard në vitin 2013.
Përkrahësit thonë se kombinimi i shkurtimeve me rritjen e taksave do ta balancojë buxhetin e Italisë deri në vitin 2013, në përputhje me kërkesat e Bankës Qendrore Evropiane.
Zyrtarët italianë shpresojnë se plani i kursimeve do të zbutë frikën e investitorëve se Italia mund të bëhet viktima e radhës e krizës së borxhit evropian.