Lidhje

Bernanke: Reduktimi i programeve stimuluese, gradual dhe i matur


Kreu i Bankës Qendrore amerikane dëshmoi para Kongresit se përpjekjet aktuale për të stimuluar ekonominë nuk mund të vazhdojnë pafundësisht. Por zoti Ben Bernanke u përpoq të sigurojë investitorët se reduktimet do të zbatohen në mënyrë graduale dhe do të ndërmerren vetëm nëse ekonomia tregon shenja të qarta forcimi.

Kreu i Rezervës Federale vazhdon dy ditë dëshmish para komisineve të Kongresit, por mesazhi i tij është i drejtuar kryesisht tek tregu i investimeve.

Tregu i aksioneve dhe tregje të tjera pësuan rënie të konsiderueshme kohët e fundit kur zoti Bernanke tha se mund të reduktohen programet qeveritare për stimulimin e ekonomisë brenda këtij viti. Dje, zoti Bernanke theksoi përsëri se këto reduktime nuk do të bëhen realitet deri kur të shfaqen shenja të qarta të fuqizimit të ekonomisë.

Programi One Fed synon të nxisë ekonominë duke ulur normat e interesit, gjë që e bën më të lehtë për bizneset të zgjerojnë operacionet duke marrë kredi më të leverdishme për pajisje apo mjedise, si dhe u jep më shumë mundësi individëve të blejnë shtëpi apo makina. Procesi kompleks përfshin blerjen e letrave me vlerë që arrinë 85 miliardë dollarë në muaj:

"E theksoj se blerja e aksioneve varet nga situata ekonomike dhe financiare, prandaj shuma e vënë në dispozicion për këto letra me vlerë nuk është e ngrirë dhe e pandryshueshme”.

Rezerva Federale përpiqet gjithashtu të nxisë ekonominë duke ulur normat e interesit për kredi afat-shkurtra, të cilat kanë aktualisht një interes thuajse zero. Ky program pritet të vazhdojë të paktën deri kur ritmet e papunësisë të bien në 6.5 për qind ose më poshtë, gjë që nuk pritet të realizohet brenda këtij viti.

Ish ekonomisti i Rezervës Federale Steve Oliner, i cili është tani studiues pranë Institutit American Enterprize, thotë se Banka Qendrore po përpiqet të gjejë momentin e duhur për të eliminuar programet e stimulimit, pasi nëse vazhdojnë shumë gjatë këto programe mund të ndikojnë negativisht tek ekonomia:

"Një prej rreziqeve do të vinte nga blerja e letrave me vlerë. Nëse vazhdon për një kohë shumë të gjatë ky program, mund të krijojë fryrje anormale të disa sektorëve të tregut financiar. Ky është një ndër shqetësimet e Bankës Qendrore”.

Ekonomisti i Institutit Peterson Joseph Gagnon, i cili ka punuar më parë në Bankën Qendrore dhe Departamentin e Thesarit, thotë se zoti Bernanke po tregohet i matur:

"Nuk jemi me ngut për të reduktuar programe. Ata do të reduktohen në të ardhmen. E vërteta është se ekonomia po përpirësohet dhe po ecim drejt normalizimit, por ritmet e përmirësimit do të vazhdojnë të jenë të ngadalta”.

Përpjekjet e zotit Bernanke për të mos krijuar panik në treg mund të kenë dhënë rezultat, pasi çmimet e aksioneve si në bursën amerikane ashtu edhe në bursat evropiane u rritën pas komenteve të tij.
XS
SM
MD
LG