Lidhje

Britani: Pesë ministra japin dorëheqjen në protestë ndaj paktit për Brexit-in


Pak orë pasi kryeministrja britanike Theresa May deklaroi se kishte siguruar mbështetjen e kabinetit të saj qeveritar për një marrëveshje të vështirë “divorci” me Bashkimin Evropian, ministri i saj për Brexit dhe katër ministra të tjerë dhanë dorëheqjen duke e lënë të paqartë fatin e marrëveshjes dhe të vetë qeverisë.

Ministri për Brexit, Dominic Raab, që ndihmoi për hartimin e marrëveshjes, dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj projekt-marrëveshjes, duke thënë se nuk mundej t’i mbështeste “me ndërgjegje të pastër” kushtet e saj.

“Kushtet përfundimtare që po propozohen janë me të meta në dy drejtimet kryesore që unë kam paraqitur, nuk besoj se do të ishte e mirë për shëndetin afatgjatë të vendit ta pranonim këtë marrëveshje si ekonomikisht ashtu edhe përsa i takon demokracisë”, tha ai.

Përkrahësit e vendosur të daljes nga BE-ja argumentojnë se ai e vë Britaninë në një pozitë inferiore ndaj Bashkimit Evropian dhe se vendi nuk do të mund të dilte prej marrëveshjes pa miratimin e Brukselit.

Një ministre tjetër tha dorëheqjen para zotit Raab dhe tre ministra të tjerë pasuan, ndërsa mbështetësit e Brexit-it, po bënin përpjekje të hapura për ta rrëzuar zonjën May si udhëheqëse konservatore, duke e dobësuar në mënyrë të konsiderueshme autoritetin e saj.

Zonja May kishte thënë në një seancë të nxehtë dhe shpesh me tensione në Dhomën e Komuneve që zgjati pesë orë, se po vepronte në favor të interesit kombëtar dhe se “projekt-traktati do të garantonte që të dalim nga BE-ja në një mënyrë të qetë dhe të rregullt”. Komenti i saj u prit me të qeshura.

“Zgjedhja është e qartë. Mund të vendosim të dalin pa një marrëveshje, apo të rrezikojmë të mos kemi Brexit. Ose mund të zgjedhim të bashkohemi dhe të mbështesim marrëveshjen më të mirë të mundshme”.

Jeremy Corbyn, udhëheqësi i Partisë Laburiste në opozitë tha se kjo nuk ishte marrëveshja që i ishte premtuar vendit.

"Parlamenti nuk mundet dhe besoj se nuk do të pranojë një zgjedhje të rreme mes kësaj marrëveshjeje të keqe dhe mungesës së një marrëveshjeje. Qeveria duhet ta tërheqë këtë pakt të mangët që është e qartë që nuk ka mbështetjen e kabinetit, parlamentit apo vendit si një i tërë”, tha ai.

Tani, e ardhmja e një marrëveshjeje për të cilën u deshën një vit negociata dhe fati i vetë qeverisë konservatore është në dyshim.

Po ashtu po shtrohen pyetje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme, të cilat mund të fitohen nga Partia Laburiste, apo për mbajtjen e një referendumi të dytë për Brexit-in që mund ta përmbyste votimin e mëparshëm për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Një tjetër mundësi është që me afrimin e afatit për daljen zyrtare nga BE-ja pas 134 ditësh, Britania mund të detyrohet të dalë nga blloku pa një marrëveshje, një rezultat që analistët dhe udhëheqësit e biznesit thonë se do ta fuste në kaos ekonominë e Britanisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG