Lidhje

Beteja elektorale për shtetin Florida


Hyrja e një qendre votimi në Bonita Springs, Florida.

Presidenti Donald Trump dhe sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, po bëjnë një fushatë të fortë në shtetin juglindor të Floridës, i cili ka 29 nga të 270 votat elektorale që i duhen një kandidati për të fituar zgjedhjet. Florida është shteti më i madh i lëkundur në zgjedhje, ku jetojnë një numër i madh pensionistësh. Në gjashtë zgjedhjet e fundit presidenciale, ajo ka votuar për fituesin. Carolyn Presutti e Zërit të Amerikës ishte në Majami dhe ka përgatitur këtë material.

Fqinja e zonjës Joani Stein, Ricki, i bëri asaj një pankartë të re fushate për kandidatin Biden, sepse dikush ia kishte vjedhur nga oborri. Stein as që mund ta shqiptojë dot emrin Donald Trump.

“Unë ricikloj, bëj gjithçka mundem për tokën. Kam të njëjtat vlera si Joe Biden dhe Kamala Harris. Kam vlera të kundërta me kandidatin tjetër”, thotë zonja Stein.

71 vjeçarja Stein është midis 4.2 milionë të moshuarve në Florida që kanë mjaft peshë në votën e këtij shteti. Po ashtu edhe Graciela Law, emigrante argjentinase, e cila sapo ka votuar për Presidentin Trump.

“Ne kemi nevojë për dikë që jo vetëm kujdeset për secilin qytetar amerikan. Kemi nevojë për dikë që di të jetë president, di të jetë udhëheqës. Nuk mund ta mbrosh shtëpinë tënde, nëse e lë derën hapur dhe mund të hyjë çdokush,” thotë zonja Law.

Zonja Law e ka fjalën për politikat e ashpra të emigracionit që ndjek Presidenti Trump dhe që pëlqehen nga elektorati i tij. Votuesit e Floridës janë kyç për zgjedhjet presidenciale. Që nga Bill Clintoni në vitin 1992, asnjë kandidat nuk e ka fituar Shtëpinë e Bardhë pa marrë Floridën.

Në 20 vitet e shkuara, dy kandidatët kryesorë kanë qenë vetëm pak përqind nga njëri-tjetri. Dhe çdo herë, ai që ka fituar Floridën ka fituar edhe presidencën.

Reklamat politike në anglisht dhe spanjisht i shikon gjithandej në Florida, ku 1 në 4 banorë është me origjinë hispanike.

Presidenti Trump ka akuzuar në mënyrë të përsëritur rivalin Biden se ka një axhendë socialiste për Amerikën, akuzë që hidhet poshtë nga Heriberto Sanchez, me origjinë nga Porto Rikoja.

"Është ironike propaganda që ata po bëjnë për të marrë votën e venezuelianëve dhe kubanëve. Ata po e bëjnë zotin Biden të duket sikur ai është një socialist që do të na çonte në komunizëm si këta udhëheqës, kur në fakt është e kundërta, sepse nuk ka kandidat më centrist se sa ai”, thotë zoti Sanchez.

Por pikëpyetjet për prirjet socialiste kanë një peshë të madhe në Florida, sipas zotit Javier Polit i Këshillit Hispanik të Konsulencës. Ai është deri në fund për zotin Trump.

“Për hispanikët, një sistem kapitalist është shumë i rëndësishëm. Ne kemi emigruar këtu, kemi punuar shumë dhe etërit tanë para nesh kanë punuar shumë për të na garantuar ato që kemi sot dhe liritë që gëzojmë në Florida," thotë zoti Polit.

"Është një betejë e vështirë për secilën palë," thotë Arthur Simon, profesor i shkencave politike në Universitetin e Majamit, anëtar për gjashtë mandate në Dhomën e Përfaqësuesve të Floridës.

“Vota portorikane anon drejt demokratëve, ndërsa vota e kubano-amerikanëve në Florida drejt republikanëve. Kështu që këto dy grupe ekuilibrojnë vetveten," thotë profesori.

Ka mundësi që garën ta vendosë pjesëmarrja në votime. Më shumë se një milion banorë të Floridës kanë marrë pjesë deri tani në votimet e hershme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG