Lidhje

Beteja tregtare SHBA-Kinë, me leverdi për vende të tjera


Don DiCostanzo, themelues i kompanisë Pedego, zhvendosi prodhimin e biçikletave të tij nga Kina në Vjetnam
Don DiCostanzo, themelues i kompanisë Pedego, zhvendosi prodhimin e biçikletave të tij nga Kina në Vjetnam

Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është bërë një burim ankthi për biznesmenët e të dy vendeve. Por, këto përplasje janë të mirëpritura në vende të tjera ku shumë kompani po zhvendosin operacionet pasi largohen nga Kina. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee na njeh me përvojën e një kompanie nga Kalifornia e jugut që ka gjetur një mjedis mikpritës në Vjetnam.

Qendra e kompanisë Pedego vlon nga aktiviteti. Kjo kompani projekton, prodhon dhe tregton biçikleta elektrike. 80% e pjesëve të këtyre biçikletave prodhoheshin në Kinë, tani gjërat kanë ndryshuar.

“Tani rreth 70% të aktivitetit e kemi në Vjetnam; 30% në Tajvan,” thotë shefi i kompanisë, Don DiCostanzo.

Bashkëthemeluesi i kompanisë Pedego, Don DiCostanzo thotë se prej kohësh kishte bërë plane për të zgjeruar aktivitetin me fabrika në Vjetnam si rezultat i kërcënimit të tarifave evropiane ndaj biçikleta me pjesë kineze. Prandaj, kur Shtetet e Bashkuara vendosën vjet tarifa mbi një listë me artikuj të prodhuar në Kinë, përfshirë biçikletat elektrike, ai nuk priti më.

“Menjëherë arritëm të intensifikojmë prodhimin dhe filluam të prodhojmë biçikleta në Vjetnam që nga shtatori. Në janar 2019 mbyllëm të gjithë aktivitetin në Kinë dhe kaluam të gjithë linjat e prodhimit dhe furnizimit në Vjetnam”, thotë zoti DiCostanzo.

Pedego nuk është e vetmja kompani që ka zhvendosur aktivitetin nga Kina për shkak të luftës tregtare.

“Dy vendet që kanë përfituar më shumë janë Vjetnami dhe Meksika. Këto janë vende që arrijnë të përfitojnë për shkak të kapaciteteve prodhuese, për shkak të gjeografisë. Tani Vjetnamin me Meksikën i shohin me zili,” thotë analisti Kevin Klowden, i Institutit Milken.

Kur krahasohet gjashtmujori i parë i 2018 me atë të 2019, vlera e mallrave që Shtetet e Bashkuara importuan nga Meksika u rrit mbi 6%. Importet nga Vjetnami u rritën mbi 33% në të njëjtën periudhë.

“Qeveria vjetnameze ka bërë një punë të mrekullueshme për ta bërë vendin sa më të hapur dhe të gatshëm për kompanitë që vendosen atje. Ata janë pozicionuar si konkurrentë të drejtpërdrejtë të Kinës, sidomos nga pikëpamja e kostos,” thotë zoti Klowden.

“Kemi pasur përvojë shumë të mirë. Në Vjetnam gjejmë cilësi më të mirë,” thotë biznesmeni DiCostanzo.

“Në Azinë juglindore po përfitojnë një numër vendesh: Malajzia, Tajlanda, Indonezia. Por edhe vende si India dhe Bangladeshi kanë arritur të kapin një pjesë të prodhimit me kosto të ulët,” thotë analisti Klowden.

Por, aktiviteti industrial dhe zhvendosja e elementëve të prodhimit në një ekonomi globale nuk është një sektor i qëndrueshëm.

“Prodhimi industrial zgjat për aq kohë sa zgjat prodhimi i një artikulli të caktuar. Nëse një vend tjetër ka përgatitur terrenin për gjeneratën e re të produktit, operacionet zhvendosen,” thotë analisti Klowden.

Kjo kërkon që oferta të jetë e leverdisshme dhe vendi të ofrojë klimë favorizuese për biznesin, si qëndrueshmëri politike e ekonomike.

“Disa kompani do të donin të rikthenin operacionet në Shtetet e Bashkuara, pasi duan të jenë më pranë tregut dhe sepse është vend i stabilizuar. Operacionet e prodhimit tani punësojnë shumë më pak njerëz se 20-30 vjet më parë,” thotë zoti Klowden.

Prodhimi industrial ka ndryshuar shumë në dekadat e fundit. Automatizimi dhe robotika u japin mundësi kompanive amerikane të konkurrojnë në tregun global.

“Robotët nuk kërkojnë pagesë ekstra nëse punojnë mbi orar, nuk kërkojnë pushime të paguara. Punojnë tre turne rresht, pa pushim. Efiçenca që ofrojnë robotët mund të sjellë ulje të çmimeve,” thotë zoti Klowden.

Biznesmeni DiCostanzo bën pjesë në një koalicion që po lobon për masa ligjore për përjashtim 10-vjeçar nga tarifat të të gjitha pjesëve për prodhimin e biçikletave. Nëse miratohet kjo masë, mund të shohim rikthimin e fabrikave të biçikletave në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG