Lidhje

Beteja Clinton-Trump


Gara për Shtëpinë e Bardhë ka hyrë në një fazë të re pas fitoreve të fundit në zgjedhjet paraprake që përcaktuan përballjen në zgjedhjet e përgjithshme mes kandidates së pritshme demokrate Hillary Clinton dhe atij republikan Donald Trump. Gara do t’u ofrojë amerikanëve një zgjedhje të vështirë dhe atë që me sa duket do të jetë një nga fushatat më të pakëndshme në historinë amerikane. Korrespondenti Jim Malone ka përgatitur materialin.

Për demokraten Hillary Clinton, një moment historik e ka vënë atë në rrugën për t’u bërë gruaja e parë në historinë amerikane që merr emërimin si kandidate presidenciale.

Por Clinton harxhoi pak kohë për t’u përqendruar te rivali republikan, Donald Trump.

“Ne besojmë se jemi më të fortë së bashku. Rëndësia e këtyre zgjedhjeve është e madhe dhe alternativa e qartë. Donald Trump ka një temperament të papërshtatshëm për të qënë president dhe komandant në detyrë.”

Clinton mposhti rivalin Bernie Sanders në katër nga gjashtë zgjedhjet paraprake të martën, përfshi atë në Kaliforni. Por tani për tani Sanders vazhdon garën.

“Lufta që kemi përpara është shumë e vështirë. Por ne do të vazhdojmë të luftojmë për çdo votë dhe çdo delegat.”

Donald Trump është gjithashtu i gatshëm të përballet me Clintonin, duke e sulmuar qëndrimin e saj si sekretare shteti dhe përpjekjet për grumbullim fondesh nga Fondacioni Clinton.

“Hillary Clinton e ktheu Departamentin e Shtetit në një fond aksionesh private. Rusët, sauditët, kinezët, të gjithë dhanë para për Billin dhe Hillarin dhe morën trajtime të favorshme si shkëmbim.”

Por Trump mbetet në pozitën e kontrollit të dëmit pas akuzave që bëri ndaj një gjykatësi federal se u tregua i njëanshëm për shkak të prejardhjes nga Meksika, koment që revoltoi kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan.

“Të pretendosh se një person nuk e bën punën për shkak të racës është një koment tipik racist. Mendoj se kjo duhet hedhur poshtë dhe është absolutisht e papranueshme. Por a mendoj unë se Hillary Clinton është përgjigja? Jo.”

Për senatorin e Illinoit Mark Kirk, Trump e teproi me komentet, dhe ai tërhoqi mbështetjen e tij.

“Për mua, komentet ishin tepër raciste dhe fanatike për partinë e Lincolnit..”

Guvernatori i Nju Xhersit Chris Christie i doli Trumpit në mbrojtje.

“E kam thënë edhe më parë, e njoh Donald Trumpin. E kam njohur për 14 vjet dhe ai nuk është racist.”

Clinton hyn në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme me një epërsi të vogël, thotë analisti Kyle Kondik.

“Është një alternativë mes qëndrueshmërisë së Clintonit dhe ndryshimit radikal të Trumpit. Ka mundësi që votuesit të tregohen pak më të matur, jo nga pikëpamja politike, por nga ajo se nuk do të duan të marrin rrezik të madh. Mendoj se është në të mirën e Clintonit të thotë se Trumpi është shumë i rrezikshëm. ”

Kondik parashikon gjithashtu një fushatë të pakëndshme, me sulme personale që do të dominojnë garën për pesë muajt e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG