Lidhje

Biblioteka universitare kthehet dixhitale, por librat mbeten me rëndësi


Bibliotekat në mbarë botën po kryejnë një tranzicion nga librat e zakonshëm tek dokumentat dixhitalë. Por, punonjësit e një biblioteke në Los Anxheles thonë se edhe pse biblioteka e tyre po ndryshon, librat do të vazhdojnë të përdoren për një kohë të gjatë.

Një infrastrukturë e gjerë mban në funksionim bibliotekën e Universitetit të Shtetit të Kalifornisë në Northridge.

Një sistem automatik depozitimi dhe zhvendosjeje gjen librat brenda pak sekondash.

Në këtë ndërtesë, në periferi të Los Anxhelesit, gjenden tepër se 1 milion libra dhe çerek milioni botime periodike.

Katalogët janë dixhitalë dhe studentët shkarkojnë materialet e studimeve po në mënyrë dixhitale.

Kjo bibliotekë zotëron edhe mijëra libra dhe dokumente të ralla.

Thesare si ky ditar udhëtimesh i shekullit të 18-të do të vazhdojnë të jenë këtu, por revistat akademike sot janë kryesisht dixhitale, thotë shefi i bibliotekës Mark Stover.

“Mund të them se ndoshta 90 për qind e revistave për të cilat abonohemi tani vijnë në format elektronik. Por rasti i librave dhe monografive është paksa ndryshe.”

Ato lloje zotërimesh të bibliotekës janë kryesisht në letër, dhe studentja e biologjisë Lisa Ochoa e pëlqen atë format.

“Mua më pëlqen edhe kompjuteri, por preferoj librin dhe letrën.”

Një përpjekje e gjerë po bëhet për të dixhitalizuar materialet, për t’i mbrojtur ato dhe për t’i vënë në dispozicion të më tepër njerëzve. Përfshi këtu letra me shkrim dore dhe artikuj të gazetave të vjetra. Steve Kutay merret me materialet dixhitale dhe ai thotë se vendosja e informacioneve përshkruese ndihmon në vënien e tyre në dispozicion të përdoruesve.

“Ata kështu mund të mbrohen duke qenë të disponueshëm në vende të ndryshme. Por kjo nuk do të ketë rëndësi për ne pas 10-20 vjetësh nëse nuk do të dimë se çfarë përmbajnë këto dokumente.”

Helen Heinrich është përgjegjëse për procesin e katalogimit dhe për heqjen e librave që janë kthyer në format dixhital. Ajo thotë se universitetet po bashkëpunojnë për depozitimin e kopjeve të letrës si garanci në rast emergjencash.

“Siç e dimë, ne po bëhemi shumë të varur prej internetit, por çfarë do të ndodhte nëse do të kishim një sulm kompjuterik dhe çdo gjë humbet brenda një dite? Prandaj do të ketë një kopje në letër.”

Bibliotekat po ndryshojnë duke u dixhitalizuar. Por shumë dokumente dixhitale mbeten të padisponueshme, pasi autorët apo trashgimtarët e tyre kanë të drejtat mbi veprat dhe nuk duan që ato të shpërndahen në mënyrë dixhitale, thotë Mark Stover.

“Ne do t’i heqim koleksionet tona. Do ti konvertojmë ato dhe do të krijojmë më tepër hapësira studimi për nxënësit. Por unë mendoj se librat në letër, sidomos për shkak të problemit të të drejtave të autorit, do të ruajnë statusin e tyre për shumë vite të tjera.”

Fatmirësisht, thotë ai, shumica e studentëve mund të përdorin librat në njërin format apo në tjetrin.

XS
SM
MD
LG