Lidhje

Bibliotekat e Gjalla – mjet për mirëkuptim


Një raport i botuar të premten nga organi më i lartë i të drejtave të njeriut në Evropë shpjegon se ksenofobia është në rritje në të gjithë rajonin. Pavarësisht përparimit në disa fusha, Këshilli i Evropës, me seli në Strasburg të Francës thotë se pakicat, duke përfshirë myslimanët, hebrenjtë, homoseksualët dhe romët, përballen me stigmë dhe intolerancë në të gjithë 48 shtetet anëtare. Një nismë qytetare synon të ndihmojë me krijimin e një ure lidhëse përmes dialogut.

A keni menduar ndonjëherë se çfarë do të thotë të jesh i pastrehë apo homoseksual apo edhe prift katolik nga Republika Demokratike e Kongos që jeton në Francë? Veronique Couque po e zbulon këtë.

Ajo po bisedon me At Mick Ngundun, nga Kongoja, i cili përshkruan se si konflikti dhe varfëria kanë shkatërruar atdheun e tij.

“Në qarkun tim ofrohet ujë me pagesë, por njerëzit janë shumë të varfër për të paguar për të”.

Ata kurrë mund të mos ishin takuar, po të mos ishte për një eksperiment të quajtur “Bibliotekat e Gjalla”, një nismë që filloi në Caen këtë muaj në një forum paqeje.

“Është një përpjekje e re dhe një përvojë e mrekullueshme. Unë dua të flas rreth luftës në vendin tim dhe se si kam jetuar gjatë konflikteve të ndryshme”.

Bibliotekat e Gjalla u themeluan dy dekada më parë në Danimarkë. Në vend të të mësuarit nga librat, ideja është të mësojmë nga njerëzit... si një mënyrë për t’u përballur me paragjykimet tona.

“Bibliotekat e Gjalla janë shpikur për t’ju dhënë mundësinë të bisedoni me një person nga Afrika, një arab ose hebre. Dhe të zbuloni se si është jeta e tyre.... është një mundësi për të thyer barriera”.

Waksman është ish-diplomate franceze. Ajo ndryshoi karrierën, sepse donte të bëntë diçka që kishte ndikim të drejtpërdrejtë.

“Njerëzit .. kanë më shumë gjasa të jenë në konflikt nëse nuk kanë mundësi të bisedojnë me të tjerët, ose kanë paragjykime, kështu që Biblioteka e Gjallë u lejon njerëzve të bisedojnë me njëri-tjetrin, të bëjnë pyetje në një ambient të sigurt”.

Bibliotekat e Gjalla janë organizuar në rreth 60 vende, duke përfshirë Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe Indinë. Ato funksionojnë si biblioteka reale; ju mund të mësoni më shumë rreth një “subjekti” që ju intereson, gjatë një bisede. “Subjektet” këtu përfshijnë njerëz të pastrehë dhe klerikë si Ngundu, i cili tani jeton në Francë.

“Do të ishte mirë nëse kjo përpjekje zhvillohet në të gjithë botën. Atëherë mund ta ndalojmë luftën kudo” thotë një nga pjesëmarrësit.

Motoja e bibliotekave të gjalla është e thjeshtë: mos gjykoni një libër nga kopertina e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG