Lidhje

Biden emëron sekretarin e Shëndetësisë


FILE - California Attorney General Xavier Becerra speaks during a news conference in Sacramento, California, March 5, 2019.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden emëroi zyrtarisht Prokurorin e Përgjithshëm të Kalifornisë Xavier Becerra si sekretarin e tij të shëndetësisë, i cili do të ketë një rol kryesor në përgjigjen e administratës ndaj koronavirusit.

Ai emëroi gjithashtu eksperten e sëmundjeve infektive në Universitetin e Harvardit, Rochelle Walensky, për të drejtuar Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Gjithashtu, zoti Biden njoftoi zyrtarisht se Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, do të jetë këshilltari i tij kryesor për virusin.

"Ky ekip i ekspertësh mjekësorë të klasit botëror do të jetë gati qysh në Ditën e Parë për të mobilizuar çdo burim të qeverisë federale për të zgjeruar testimin dhe maskat," tha zoti Biden në një deklaratë, duke shtuar se ata do të "mbikëqyrin sigurinë, barazinë dhe shpërndarjen falas të trajtimeve dhe vaksinave".

Dr Celine Gounder, anëtare e bordit këshillimor për koronavirusin në ekipin e zotit Biden, tha për programin "This Morning" të televizionit CBS se ende nuk kishte marrë një plan të detajuar për shpërndarjen e vaksinave nga administrata në largim e Presidentit Donald Trump.

"Nuk është e mjaftueshme të marrësh doza të vaksinës, të blesh doza. Neve na duhet të kemi gjithashtu një plan për t'i shpërndarë ato deri në nivelin e ofruesit të kujdesit shëndetësor, që është infermieri," tha Dr Gounder.

Nëse konfirmohet nga Senati, 62 vjeçari Becerra do të jetë latinoamerikani i parë në krye të Departamentin e Shëndetësisë, një agjensi me një buxhet prej më shumë se 1 trilionë dollarësh dhe me 80,000 punonjës. Departamenti i Shëndetësisë mbulon mes të tjerash kërkime mjekësore të nivelit të lartë dhe programet e sigurimeve shëndetësore për më shumë se 130 milionë amerikanë.

Becerra, si prokurori më i lartë i shtetit të Kalifornisë, ka drejtuar më parë përpjekjet për të mbrojtur aktin e kujdesit të përballueshëm shëndetësor të njohur si Obamacare nga përpjekjet e fundit të administratës Trump për ta rrëzuar atë, një çështje ligjore që pret vendimin e Gjykatës së Lartë vitin e ardhshëm.

Zoti Becerra ka qenë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, i përfshirë në procedurat për miratimin e këtij ligji në Kongres në vitet 2009 dhe 2010.

Ai njihet për qasjen prej një juristi rigoroz në analizën e problemeve. Por puna për të mbikëqyrur përgjigjen e administratës ndaj koronavirusit mund të jetë detyra më e komplikuar me të cilën ai përballet deri tani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG