Lidhje

Biden shpalos vizionin para aleatëve: SHBA, plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s


Presidenti i SHBA Joe Biden shpalosi të premten një kontrast të mprehtë me politikën e jashtme të paraardhësit të tij Donald Trump, duke premtuar t'i japë fund diplomacisë në formë biznesi dhe ta verë theksin tek demokracia në vend të autokratizmit.

Presidenti Biden e përdori paraqitjen e tij të parë të madhe në skenën globale - një "vizitë virtuale" në Evropë - për të rikthyer Shtetet e Bashkuara si lojtar i një ekipi shumëpalësh, pas katër vitesh të politikave të ndjekura nga zoti Trump me moton “Amerika e Para.

Më pas ai mbajti një fjalim në një seancë online të Konferencës së Sigurisë në Mynih, e cila zakonisht mbledh udhëheqës kryesorë të botës.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara ndaj NATO-s dhe parimit të saj se një sulm ndaj një anëtari të aleancës është sulm ndaj të gjithëve. "Unë e mirëpres investimin tuaj në aftësitë ushtarake që mundësojnë mbrojtjen tonë të përbashkët," tha zoti Biden.

Në fjalimin e tij, zoti Biden nxori në pah kontrastin me politikën e jashtme të praktikuar nga paraardhësi i tij Trump, i cili i zemëroi aleatët duke prishur marrëveshje globale dhe duke kërcënuar t'i jepte fund ndihmës për mbrojtjen nëse aleatët nuk i përmbaheshin politikës së tij.

Zoti Biden tha se zyrtarët amerikanë po kryejnë një rishikim gjithëpërfshirës të stacionimeve të tyre ushtarake në të gjithë botën, por shtoi se ka anuluar urdhrat për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania - një vendim tjetër i administratës Trump që i kishte shqetësuar aleatët.

Përveç kësaj, zoti Biden tha se kishte hequr kufirin e vendosur nga administrata e mëparshme për numrin e forcave amerikane që mund të stacionoheshin në Gjermani.

"Partneritetet tona kanë qëndruar të forta dhe janë rritur ndër vite, sepse ato janë të rrënjosura në pasurinë e vlerave tona të përbashkëta demokratike. Ato nuk janë diçka që trajtohen si biznes, nuk janë për të nxjerrë përfitime. Ato janë të ndërtuara mbi një vizion të së ardhmes, ku çdo zë ka rëndësi," tha ai.

Ai paralajmëroi gjithashtu se progresi demokratik është nën sulm, si në SHBA ashtu edhe në Evropë.

Zoti Biden erdhi në takimin virtual me disa angazhime: një premtim prej 4 miliardë dollarësh në mbështetje të përpjekjeve globale për vaksinimin ndaj koronavirusit, rikthimi i Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen e Parisit për klimën, dhe mundësia e një projekti shpenzimesh prej gati 2 trilionë dollarësh për të mbështetur ekonominë e SHBA dhe ato globale.

Zoti Biden nënvizoi se demokracitë, jo autokracitë, ofrojnë rrugën më të mirë për botën, ndërkohë që trazirat e 6 janarit në Kapitol nga ana e protestuesve pro-Trump treguan se sa e brishtë mund të jetë demokracia.

"Demokracia nuk ndodh rastësisht. Ne duhet ta mbrojmë atë. Forcojeni atë. Përtërijeni atë. Duhet të provojmë se modeli ynë nuk është një relike e historisë," tha zoti Biden.

Presidenti Biden u takua të premten me video konferencë me udhëheqësit e G7 nga Britania, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Japonia. Ai ka në plan të takohet përsëri me ta personalisht në një samit të organizuar këtë verë nga Britania, thanë zyrtarët.

RUSIA, KINA, SFIDAT

Presidenti Biden theksoi pikëpamjen se ekonomitë e mëdha të tregut dhe demokracitë duhet të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat që paraqesin konkurrentët e mëdhenj si Rusia dhe Kina, si dhe sfidat transnacionale duke filluar nga përhapja e materialeve bërthamore te ndryshimi i klimës dhe siguria kibernetike.

Presidenti i SHBA foli sidomos për veprime "keqdashëse" dhe të bashkërenduara që ai beson se Rusia ka ndërmarrë për të destabilizuar dhe minuar demokracinë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe gjetkë.

Ai u bëri thirrje aleatëve të qëndrojnë të vendosur me Uashingtonin.

Në lidhje me Kinën, ekonomia e dytë më të madhe në botë, zoti Biden u bëri thirrje demokracive të punojnë së bashku për të kundërshtuar praktikat dhe politikat e qeverisë kineze që janë "abuzive nga pikëpamja ekonomike dhe ... kundër vlerave tona", siç u shpreh ai.

SHBA, JO ANËTARËSIMIT TË RUSISË NË G7

Administrata Biden tha se nuk do ta ftojë Rusinë në grupin G7 të udhëheqësve botërorë, në ndryshim nga thirrja e ish-Presidentit Donald Trump për anëtarësimin e Moskës në këtë grup.

Komentet i bëti zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki të premten.

Çdo ftesë për Rusinë për t'u bashkuar me G7-n do të bëhej në partneritet me të gjithë anëtarët e grupit, u tha ajo gazetarëve, duke folur në bordin e avionit presidencial, Air Force One.

Qershorin e kaluar, ish Presidenti Trump e quajti G7-n "një grup shumë të vjetëruar vendesh" dhe tha se dëshironte të shtonte aty Rusinë, Australinë, Korenë e Jugut dhe Indinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG