Lidhje

Tiranë: Diktatura, të burgosurit, persekutorët dhe memoriali


Instituti për Integrimin e të Përndjekurve dhe Qendra Konrad Adenauer organizuan sot një veprimtari për kujtesën kombëtare ndaj viktimave të diktaturës komuniste.

Aty u diskutua ngritja në Tiranë e një monumenti për nderim të gjithë atyre që humbën jetët e tyre për shkak të bindjeve politike.

Folësit kërkuan më shumë vëmendje dhe kujdes për rehabilitimin e gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë, trajtimi i të cilëve ende nuk është kryer prej 25 vjetësh.

Tiranë: Diktatura, të burgosurit dhe memoriali
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:29 0:00

Avokati i Popullit, Igli Totozani, tha se një afat përfundimtar nevojitet për shlyerjen e dëmshpërblimeve të pafajësisë dhe burgimit të padrejtë, i cili mungon në legjislacionin shqiptar.

Po ashtu duhet përcaktuar me ligj, sipas tij, një skemë pensioni për dëmshpërblimet e personave të internuar dhe të dëbuar nga regjimi komunist.

Zoti Totozani theksoi se kultura demokratike po ndeshet vazhdimisht me kulturën komuniste të zvarritjeve për të nderuar viktimat e komunizmit, zvarritjeve me lustracionin e nëpunësve të diktaturës dhe mos-hapjen e dosjeve të Sigurimit famëkeq të Shtetit.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e qeverisë pohuan se brenda dy vjetësh tashmë kanë mbërritur në këstin e 6 të dëmshpërblimeve për të burgosurit politikë dhe në këstin e dytë për trashëgimtarët e tyre, të cilat u zvarritën për 20 vjet.

Ndërsa drejtuesi i Institutit të të Përndjekurve, Bilal Kola, tha se memoriali i kujtesës për viktimat e komunizmit do t'i ndihmojë të gjithë reflektojnë për atë fatkeqësi.

Bashkia e Tiranës u angazhua të bashkëfinancojë ngritjen e një Memoriali Kombëtar për viktimat e ish regjimit komunist.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj tha në takim se të gjithë u janë borxhlinj viktimave të komunizmit, ndaj Bashkia e ndjen si detyrim të marrë pjesë në këtë projekt nderimi për ta.

Zoti Veliaj i bëri thirrje parlamentit dhe institucioneve që të zbatojnë ligjin sapomiratuar të dosjeve, me të njëjtën saktësi që po ecin dëmshpërblimet.

Shqipëria dhe Parlamenti Europian kanë miratuar disa rezoluta për të nxitur zbardhjen e krimeve të diktaturës komuniste ndaj popullit shqiptar, si dhe për të shtuar kujdesin ndaj ish të dënuarve politikë, për të riintegruar dhe rehabilituar ata të në shoqëri.

Por, edhe sot, pas 25 vjetësh, shumë prej tyre jetojnë në të njëjtat zona internimi, ku i hodhi diktatura, dhe vuajnë ende probleme të rënda shëndetësore, ekonomike dhe mbijetojnë në varfëri.

Ndërkaq persekutorë të tyre gjatë diktaturës arrijnë të depërtojnë në administratën shtetërore të demokracisë dhe ligj për lustracionin nuk ka.

XS
SM
MD
LG