Lidhje

Një libër i pjestarit të forcave SEAL për bin Ladenin


Sipas një libri të ri, të shkruar nga një prej anëtarëve të forcave speciale që morën pjesë në operacionin për vrasjen e Osama bin Ladenit, thuhet se udhëheqësi i al Kaidës ishte i paarmatosur dhe u qëllua në pragun e një dere, një rrëfim ky që ndryshon nga varianti zyrtar i asaj që ndodhi në Pakistan në maj të vitit të kaluar.

Administrata e Presidentit Obama ka thënë se pjesëtarët e forcave speciale të marinës u përballën me bin Ladenin në dhomën e tij të gjumit dhe e vranë atë me dy të shtëna, një në gjoks dhe tjetra mbi syrin e majtë, pasi menduan se ai po përpiqej të kapte armën.

Por sipas rrëfimit në librin “Një ditë jo e lehtë”, që pritet të dalë së shpejti, i shkruar nga pjestari 36 vjeçar i forcave speciale SEAL, që mori pjesë në sulm, ata e qëlluan bin Ladenin, ndonëse nuk e dinin në se ai ishte i armatosur apo jo, sapo nxorri kokën në korridor për të parë, në kohën që forcat speciale po shkonin drejt dhomës së tij.

Autori, që ka shkruar nën pseudonimin Mark Owen, thotë se më pas forcat speciale hynë në dhomën e gjumit, ku e gjetën bin Ladenin duke u përpëlitur në tokë, i larë në gjak, dhe dy gra që po përpiqshin ta ndihmonin.

Autori shkruan më tej se ata i larguan gratë dhe e qëlluan bin Ladenin disa herë në gjoks deri sa ai pushoi së lëvizuri. Më pas forcat speciale gjetën në dhomën e gjumit dy armë të pambushura, një pushkë automatik AK-47 dhe një pistoletë Makarov.

Libri pritej të dilte për shitje më 11 shtator, në përvjetorin e sulmit terrorist të al Kaidës në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000. Por pasi shtypi njoftoi se kishte shtënë në dorë disa kopje të librit, shtëpia botuese vendosi ta nxjerrë atë për shitje më 4 shtator.
XS
SM
MD
LG