Lidhje

Bisedime Shqipëri-Kosovë mbi marrëdhëniet tregtare


Bisedime Shqipëri-Kosovë mbi marrëdhëniet tregtare
Bisedime Shqipëri-Kosovë mbi marrëdhëniet tregtare

Shqipëria dhe Kosova rifilluan sot bisedime për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare dhe të bashkëpunimit në miniera dhe energjitikë.

Ministri i Zhvillimit të Ekonomisë së Kosovës, Besim Beqaj, dhe zëvendës-ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Eno Bozdo, diskutuan sot për të rritur shkëmbimet tregtare dhe për të bashkëpunuar në sektorët e energjisë elektrike dhe industrisë minerare.

Ministri Beqaj tha se “pas marrjes së vendimit të qeverisë së Kosovës për vënien e masave të reciprocitetit me Serbinë, konform rregullave ndërkombëtare, tani është çasti që ekonomia e Kosovës të zëvendësojë produktet që kanë ardhur prej andej”. Zoti Beqaj tha se Kosova e sheh Shqipërinë si një treg me potencial të madh për bashkëpunim ekonomik dhe theksoi se “ka ardhur koha të jepet më shumë hapësirë, më shumë përkrahje institucionale bizneseve të dy vendeve, në mënyrë që këto shkëmbime të mos mbeten thjesht tregtare, por të shfrytëzohen edhe për investime kapitale afatgjata”.

Ndërsa zëvendës-ministri i ekonomisë, Eno Bozdo, tha se “qeveria e Shqipërisë mbështet dhe mirëkupton vendimin e qeverisë së Kosovës për të aplikuar parimin e reciprocitetit, i cili është në përputhje me marrëveshjen tregtare CEFTA”. Ai tha se reciprociteti është një çështje që i përket Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të rajonit për bashkëpunimin ekonomiko - tregtar.

Temë kryesore në këtë takim ishte bashkëpunimi energjitik.

Shqipëria po ndërton një linjë interkonjeksioni 400 kilovolt, e cila po plotëson unazën energjitike mes dy vendeve dhe po përmirëson rrjetin e shpërndarjes e të prodhimit të energjisë.

XS
SM
MD
LG