Lidhje

Bjellorusi, masa kundër figurave opozitare


Belarus Protest

Një gjykatë bjelloruse urdhëroi të martën burgosjen për 10 ditë të dy udhëheqësve të opozitës, ndërkohë që qeveria vazhdon masat kundër disa figurave opozitare që ende nuk janë ndaluar.

Vendimi i gjykatës vjen kur në vend janë planifikuar demonstrime të tjera të mëdha kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko.

Pavarësisht se shumica e figurave kryesore të opozitës janë në burg ose në mërgim, Presidenti Lukashenko deri tani nuk ka arritur t’i ndalë protestat kundër sundimit të tij 26-vjeçar, më shumë se dy javë pas zgjedhjeve për të cilat kundërshtarët thonë se ishin të manipuluara.

Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë gjatë fundjavës dhe u shpërndanë paqësisht.

Lukashenko mohon se zgjedhjet u manipuluan. Ai i ka quajtur protestuesit "spiunë" dhe thotë se ata janë të financuar nga jashtë.

Këshilli Koordinues i opozitës
Këshilli Koordinues i opozitës

Siarhei Dyleuski, i cili ka drejtuar grevat në Uzinë e Traktorëve të Minskut, një nga uzinat kryesore industriale të vendit, u nxor para gjykatës në një kafaz çeliku të martën, një ditë pas arrestimit. Gjykata urdhëroi ndalimin e tij për 10 ditë ndërsa prokurorët po ndjekin një çështje penale kundër Këshillit Koordinues të opozitës, me akuzën se është përpjekur të marrë pushtetin.

Një tjetër anëtare e këshillit, Olga Kovalkova, u dënua gjithashtu me 10 ditë burgim. Ajo shfaq në një gjykatë tjetër, pasi kishte kaluar një natë në arrest. Kovalkova është përfaqësuesja kryesore e kandidates së opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, që ndodhet jashtë vendit.

Këshilli Koordinues i opozitës u ngrit javën e kaluar me qëllimin e deklaruar për të hapur negociatat me qeverinë.

Një tjetër anëtar i këshillit, Pavel Latushko, ish-drejtor i teatrit shtetëror, u mor në pyetje nga hetuesit të martën por nuk është arrestuar. Ai doli duke thënë se do të kthehej përsëri në punë dhe se aktivitetet e këshillit nuk ishin të paligjshme.

Këshilli përfshin dhjetëra figura që përfaqësojnë shtresa të gjera të shoqërisë, midis tyre autorja Svetlana Alexievich, fituese e çmimit Nobel të Letërsisë, e cila është thirrur për t’u marrë në pyetje të mërkurën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG