Lidhje

NATO do të shkurtojë trupat në Afganistan


Nga e majta: Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, Ministri i Jashtëm Italian Luigi Di Maio, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, Ministri i Jashtëm turk Cavusoglu dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg

NATO deklaroi se do të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Afganistani, duke ndjekur kështu zotimin amerikan për të njëjtin qëllim.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, pasi u takua të mërkurën me Sekretarin amerikane të Shtetit Anthony Blinken dhe Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, njoftoi në një konferencë për shtyp se rreth 7000 trupa të NATO-s do të tërhiqen.

"Ne do të fillojmë tërheqjen e forcave të Mbështetjes së Vendosur të NATO-s deri në 1 maj", tha zoti Stoltenberg. "Kemi në plan të përfundojmë tërheqjen e të gjitha trupave tona brenda disa muajsh".

"Shkuam në Afganistan së bashku, kemi përshtatur praninë tonë së bashku dhe jemi të bashkuar në largimin së bashku", tha ai, duke shtuar se çdo sulm ndaj tërheqjes së forcave të NATO-s do të merrte një përgjigje të fortë nga aleanca.

Pak më parë, Sekretari amerikan i Shtetit tha se koalicioni i trupave të drejtuara nga NATO-ja në Afganistan do të largohet nga vendi në koordinim me tërheqjen e planifikuar të forcave amerikane deri më 11 shtator.

Blinken: Do të largohemi nga Afganistani bashkë me aleatët
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:00 0:00

Sekretari Blinken tha në Bruksel se është koha që aleatët e NATO-s të venë në jetë premtimin e aleancës se ata shkuan në Afganistan së bashku dhe do të largohen së bashku.

"Unë jam këtu për të punuar ngushtë me aleatët tanë, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, mbi parimin që kemi vendosur që nga fillimi: kemi shkuar së bashku, jemi stërvitur së bashku dhe do të dalim së bashku," tha zoti Blinken në një deklaratë në selinë e NATO-s.

Në Afganistan ndodhen 2,500 trupa amerikane. Por atje ka gjithshtu edhe rreth 7,000 forca jo-amerikane, kryesisht nga vende të NATO-s, si edhe nga Australia, Zelanda e Re dhe Gjeorgjia, të cilat ende kanë mbështeten ajrore amerikane, si dhe bazohen tek forcat e SHBA përsa i përket planifikimit dhe drejtimit në misionin e tyre trajnues.

"Ne do të punojmë shumë ngushtë së bashku gjatë muajve në vazhdim për një tërheqje të sigurt, me synime të qarta dhe të bashkërenduar të forcave tona nga Afganistani," tha zoti Blinken.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se e mirëpriste koordinimin për këtë çështje.

"Ne e mirëpresim këtë mundësi për t’u koordinuar dhe konsultuar ngushtë me të gjithë aleatët tanë ndërkohë që jemi dakord lidhur me praninë tonë të ardhshme në Afganistan. Kështu që unë pres të diskutoj me ju si dhe me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes gjatë ditës së sotme,” tha shefi i NATO-s.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të NATO-s po diskutojnë ndërkaq planet e tyre përmes video konferencës.

Një diplomat i lartë i NATO-s i tha agjencisë së lajmeve Reuters se asnjë aleat nuk pritet të kundërshtojë njoftimin zyrtar që do të bëjë Presidenti Joe Biden për një tërheqje të plotë të trupave amerikane deri më 11 shtator.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG