Lidhje

Boehner, thirrje për shmangien e krizës


Përfaqësuesi më i lartë republikan në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan i bëri thirrje presidentit Barak Obama të shmangë krizën fiskale që i kanoset Amerikës këtë fundviti, ndërsa analistët thonë se një situatë e tillë do ta zhyste vendin në recesion.

Kryetari i dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner tha sot se partia e tij nuk e do rritjen e taksave. Ai tha se Kongresi duhet të bëjë shkurtime të ndjeshme të taksave dhe të ndërmarrë një reformë të sistemit tatimor për të sjellë rritjen ekonomike afatgjatë të vendit.

Komentet vijnë një ditë mbasi udhëheqësit republikanë nuk mbështetën një përpjekje të zotit Boehner e cila do të rriste taksat për milionerët ndërsa do të vazhdonte shkurtimin e taksave për gjithë taksapaguesit. Zoti Boehner tha sot se ai nuk qe në gjendje të mbledhë vota të mjaftueshme për të arritur kompromisin, ndonëse dje paradite ai parashikoi se kjo do të ishte e mundur.

Presidenti Obama synon që rritja e taksave të nisë për ata që fitojnë më shumë se 400 mijë dollarë në vit. Ai ka deklaruar se do të vërë veton nëse dy dhomat e Kongresit nuk arrijnë një vendim të përbashkët.

Duket se nuk do të ketë vendimarrje të tjera deri pas 25 dhjetorit, datë kur ligjvënësit amerikanë kthehen në punë pas pushimeve të Krishtlindjeve.
XS
SM
MD
LG