Lidhje

Boko Harami dhe lufta për territor


Në 2014 dhe 2015, grupi terrorist nigerian Boko Haram mori nën kontroll hapësira të mëdha në Nigerinë verilindore ku shpalli krijimin e një kalifati – një shtet që do të qeverisej në bazë të ligjit islamik. Në pjesën e dytë të serialit special të Zërit të Amerikës mbi Boko Haramin, përmes videosh të patransmetuara më parë dokumentohet një sulm i organizatës – kronikë e një akti të ndërmarrë nën frymëzimin e një fushatë terrori e vrasjesh.

Në dalje të një fshati të largët në Nigerinë verilindore, luftëtarët e Boko Haramit përgatiten për sulm.

Objekti që synojnë të marrin janë kazermat ushtarake në zonë, të mbrojtura nga armatime të rënda dhe një tank.

Që nga viti 2013, ky grup terrorist ka ndërmarrë dhjetëra sulme të pamëshirshme ndaj objekteve qeveritare e civile në këtë pjesë të vendit.

Mbi 18 mijë vetë janë vrarë në këto luftime, ndër ta ushtarë, terroristë dhe civilë të pafajshëm.

Këto pamje të regjistruara nga Boko Harami, që transmetohen për herë të parë publikisht, u siguruan në mënyrë ekskluzive nga Zëri i Amerikës. Ato ofrojnë një vështrim unik tek taktikat e kësaj organizate dhe pasojat e përgjakshme për nigerianët që ndodhen në zonën e konfliktit.

Bazuar në pamjet satelitore, Zëri i Amerikës beson se sulmi u ndërmor pranë qytetit Banki, në një zonë ku vepronte Boko Harami gjatë 2014 dhe 2015.

Para betejës, luftëtarët mblidhen me pushkë e granata-hedhëse në duar. Shumë prej tyre janë fare të rinj në moshë, të rekrutuar nga fshatrat e tyre shpesh herë në moshë të mitur.

Komandantët u drejtohen në arabisht dhe në gjuhën lokale, kanuri, duke i përgatitur për goditje vdekjeprurëse dhe për vetë-flijim.

“Ne do t’i vrasim; ata do të vrasin nga radhët tona. Por të mos harrojmë se ne jemi ndryshe prej tyre”.

Në versionin e tyre të shtrembëruar të fesë islame të gjithë ata që s’janë myslimanë meritojnë vdekjen. Katër komandantë nga komanda e lartë e Boko Haramit drejtojnë sulmin.

Trupat nisen dhe kur mbërrijnë pranë kazermave fshihen mes shtëpive të lagjes.

Objekti i sulmit është i fortifikuar mirë: i rrethuar me duna rëre, transhe dhe mur.

Kronikani i Boko Haramit regjistron pamje nga vija e frontit. Dëgjohen të shtëna dhe më pas shpërthen kaosi.

Sulmuesit përpiqen të përdorin një armë anti-tank. Nga kazermat dëgjohen të shtëna artilerie.

Luftimet vazhdojnë deri në muzg dhe gradualisht fashiten.

Për vite me radhë Boko Harami ka qenë në gjendje të thyejë rezistencën e njësive ushtarake të pajisura dobët, por ky garrison bën qëndresë të fortë.

Luftimet shkaktojnë dëme të konsiderueshme në radhët e Boko Haramit.

Xhirimet rifillojnë në një skenë tjetër, ku shihen luftëtarët e Boko Haramit duke u bërë presion banorëve për ushqim, para apo ndonjë gjë tjetër me vlerë.

Ata janë të pamëshirshëm. Shumë shpejt kreu i fshatit dhe disa banorë të tjerë vriten.

Këto janë bërë skena të zakonta për nigerianët në verilindje të vendit.

Presionet, zhvatjet dhe vrasjet pa gjyq janë një mënyrë ekzistence për Boko Haramin. Fushata e tmerrit që ushtron kjo organizatë ka shkatërruar jetë, ka zhvendosur miliona vetë dhe ka shpërbërë ciklin normal të jetesës në Nigeri.

XS
SM
MD
LG