Lidhje

Boko Harami, terror i justifikuar mbi shtrembërimin e fesë


Kudo ku shkel Boko Harami, mbjell vdekje dhe shkatërrim në emër të fesë. Por si mund të justifikohet me fenë islame një brutalitet i tillë? Në kronikën e tretë të serialit special të Zërit të Amerikës mbi këtë organizatë terroriste zbulojmë rrënjët ekstremiste të Boko Haramit dhe keqinterpretimet dhe shtremërimet e fesë islame që ata i përdorin për të justifikuar fushatën e tyre të tmerrit. Paralajmërojmë shikuesit se kronika përmban pamje tronditëse:

Boko Harami po zhvillon një tjetër gjyq publik, këtë radhë gjyqi është kundër dy anëtarëve të vetë organizatës dhe përfundon me dënimin me ekzekutim nën akuzën për homoseksualitet.

Një zëdhënës flet në emër të Abubakar Shekaut, udhëheqësit në arrati të Boko Haramit.

“Vëllezër, kam ardhur t’ju përcjell një mesazh nga udhëheqësi ynë. Allahu na ka vënë në provë duke dërguar hipokritë mes nesh. Çdo fe që të lejon të rrish i heshtur përballë të pafeve nuk është besimi i Profetit,” thotë zëdhënësi.

Brenda një ore, të akuzuarit ekzekutohen. Këto regjistrime të disponuara ekskluzivisht nga Zëri i Amerikës, janë pjesë e mbi 18 orë xhirimesh të bëra nga Boko Harami ku tregohen udhëheqësit duke justifikuar vrasje dhe mizori të ngjashme, që bien ndesh me mësimet e fesë islame.

Khalifa Aliu Abul Fathi, teologu më i njohur i sektit sufi të fesë islame në Maiduguri ku ka lindur Boko Harami, thotë se ky grupim nuk ndjek asnjë parim të fesë islame:

“Ata kanë vrarë gra, kanë vrarë fëmijë. Ata vrasin njerëz të pafajshëm. Kanë vrarë të krishterë në kisha e në banesa”.

Nigeria veriore prej shekujsh ka qenë udhëkryq i rrymave të ndryshme të fesë islame. Ideologjia radikale e Boko Haramit i ka rrënjët në predikimet e Mohamed Jusufit.

Në vitet 1990, Jusufi u shkëput nga frymëzuesi i tij në Maiduguri dhe u hodh në kritika kundër arsimit perëndimor dhe qeverisë duke i cilësuar si anti-islamike. Ai ishte shumë karizmatik dhe filloi të tërhiqte të rinj nigerianë me të kaluar kriminale ose që ndjeheshin të izoluar në shoqëri.

Në 2009, qindra pasues të tij u vranë nga policia, ndërsa vetë Jusufi u kap dhe u ekzekutua.

Për një farë periudhe rrjeti i tij u shpërbë, por pasuesit u mblodhën më pas me synimin për hakmarrje.

Organizata përqafoi si mision përhapjen e mësimeve të Profetit dhe luftën fetare. Ndërsa publikisht ajo filloi të njihej si Boko Haram, që përkthehet: Arsimi Perëndimor është i Dënuar nga Zoti.

Një fushatë terrori u shpalos në vitet në vazhdim.

Në Mamudo ata dogjën një shkollë të mesme së bashku me nxënësit brenda.

Në Madalla ata vunë bombë në një kishë katolike në Ditën e Krishtlindjes.

Në Kano, një sulm vetëvrasës la 120 besimtarë të vdekur në një xhami.

Por ishte rrëmbimi i 276 vajzave nga një shkollë në Chibok në vitin 2014 që tërhoqi vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për natyrën mizore të kësaj organizate. Shumë prej vajzave ende nuk janë liruar.

Udhëheqësi i grupit thotë se vajzat nuk duhet të ishin futur në shkollë. “Ato janë pronë e Zotit dhe Ai më ka intruktuar t’i shes” – thotë Shekau.

Ibrahim Muhamad Duguri, teolog i sektit suni në Abuxha, thotë se akte të tilla janë plotësisht të ndaluara:

“Nuk mund të cënosh të moshuarit; nuk mund të vrasësh fëmijë; nuk mund të vrasësh gra; nuk mund të presësh pemë të dobishme. Nuk mund të djegësh faltore, qoftë edhe nëse shërbejnë si vende të shenjta për besimtarë jo-myslimanë”.

Por në regjistrimet e Boko Haramit që ka në disponim Zëri i Amerikës, shikohen ndëshkime publike si rrahja e një fëmije, ekzekutimi i një të moshuari me aftësi të kufizuara, prerje gjymtyrësh gjatë gjykimeve, të gjitha në emër të Allahut.

Këto akte brutale kanë shkaktuar përçarje edhe brenda vetë organizatës. Është krijuar tani një fraksion i ri i Boko Haramit, i udhëhequr nga Maman Nur, i cili e shikon udhëheqësin Shekau si tepër të dhunshëm.

Përçarja filloi në verë, kur trupat qeveritare morën nën kontroll zona të zaptuara nga Boko Harami. Por situata mbetet e pazgjidhur për afro 2 milionë refugjatë të zhvendosur nga dhuna, ndërkohë që Boko Harami vazhdon të kontrollojë territore në zonat rurale.

Abul Fathi thotë se feja islame duhet të zgjidhë mospajtimet brenda saj, që ushqejnë organizata si Boko Harami.

“Nëse nuk shërojmë urrejtjen brenda vetes, vërtetë mund ta mposhtim Boko Haramin, por do të dalë një grup tjetër, me emër tjetër”.

XS
SM
MD
LG