Lidhje

Arrestohen 15 të dyshuar për krime lufte në Bosnje


Policia në Serbi dhe Bosnjë arrestoi sot 15 njerëz të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në një masakër të kohës së luftës që traumatizoi Ballkanin. Prokurorët nga Serbia dhe Bosnja, dy vende armike mes tyre gjatë luftës, i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se kanë punuar së bashku në rastin e masakrës që ndodhi në fshatin Strpci më 27 Shkurt 1993, në kulmin e konfliktit ballkanik, kur 19 meshkuj u rrëmbyen nga një tren.

Autoritetet e ndërmorrën operacionin para agimit të ditës së sotme, duke arrestuar pesë të dyshuar në Serbi dhe 10 në Bosnjë, përfshirë vëllanë e një ish komandanti forcash paraushtarake, ish-milicë dhe një ish gjeneral të serbëve të Bosnjes, i cili komandonte forcat ushtarake në zonë.

"Këtë herë jemi gati t'i shkojmë deri në fund zgjidhjes së këtij krimi," tha prokurori serb i krimeve të luftës, Bruno Vekariç.

Çështja tani është nëse të dyshuarit do të tregojnë se cilët ishin ata eprorë që urdhëruan vrasjet, thanë hetuesit.

Nëse tregojnë, ata mund të implikojnë disa nga krerët më të lartë të tanishëm të Serbisë, të cilët mbanin pozita komanduese në makinerinë e luftës të presidentit të atëhershëm, Sllobodan Millosheviç.

Ndonëse qeveria serbe tani e pranon se ngjarja në Strpci ishte një krim lufte, vrasësit ende shihen nga disa në Serbi si heronj.

"Shumë kriminelë lufte ende kanë ndikim në biznes, politikë, polici dhe ushtri", tha prokurori i Bosnjes Goran Salihoviç.

Atifa Memoviç e mban mend mirë herën e fundit që e pa burrin e saj 21 vjet më parë.

Siç u mësua më vonë nga dëshmitë, personat e rrëmbyer nga treni në Bosnje, u çuan me duar të lidhura me tela në një shtëpi gjysmë të djegur me tulla të kuqe afër lumit Drina.

Atje, ata u ekzekutuan në pjesën e prapme të kokës.

Dy të burgosur të cilët u përpoqën të shpëtojnë, u kapën dhe u masakruan me bajoneta.

"Nuk mund të pajtohem me fatin e tij, me atë që i ndodhi, me mënyrën se si e vranë," thotë Atifa Memoviç.

Masakra e Strpcit ishte pjesë e një konflikti që la më shumë se 100.000 të vdekur dhe miliona të zhvendosur.

Edhe pse ndaj të gjitha palëve ka patur akuza për krime lufte, historianët thonë se serbët në Bosnjë dhe Kroaci kanë kryer mizoritë më të rënda në përpjekjet për të krijuar territore etnikisht të pastra.

XS
SM
MD
LG