Lidhje

Dënime të rënda për 4 serbë të Bosnjes


Ata u gjetën fajtorë për pjesëmarrje në masakrën e Srebrenicës

Një gjykatë për krimet e luftës në Bosnjë-Hercegovinë ka dhënë dënimet më të rënda deri tani ndaj katër ish pjestarëve të ushtrisë serbe të Bosnjës, të cilët u gjetën fajtor për pjesmarrje në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.

Gjykata e Sarajevës dënoi të premten një prej tyre me 43 vjet burg; dy të tjerë morën dënime nga 40 vjet dhe i fundit u dënua me 19 vjet burg për pjesmarrje në vrasjen e rreth 8 mijë burrave dhe djemëve të paarmatosur myslimanë në Srebrenicë.

Masakra e vitit 1995 ndodhi në një zone të përcaktuar si të sigurtë nga Kombet e Bashkuara, ku nuk lejoheshin luftimet. Brenda disa ditësh, rreth 8 mijë burra u ekzekutuan dhe u groposën në varreza të përbashkëta.

Gjykatësja theksoi se fajtorët ndaluan ekzekutimet vetëm për të ngrënë dhe pirë birrë mes trupave të viktimave. Ajo tha se këto veprime tregonin qëndrimin sistematik të vrasësve ndaj ekzekutimit të viktimave.

Ndërkohë që Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar masakrën gjenocid, të katër burrat e dënuar të premten u shpallën të pafajshëm nga akuzat për gjenocid sepse prokurori nuk mundi të provonte se ata kishin si qëllim të realizonin gjenocid.

Që të katër ish ushtarët shërbenin nën komandën e ish shefit ushtarak serb të Bosnjës, Ratko Mladic. Ky i fundit po gjykohet nën akuza për gjenocid nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në Hagë.
XS
SM
MD
LG