Lidhje

Zgjedhjet vendore në Bosnje


Në Bosnje po zhvillohen sot zgjedhjet vendore. Elektorati do të zgjedhë 550 kryetarë bashkie, ndërkohë që vendi është mbërthyer në një amulli ekonomike dhe ballafaqohet me sfida madhore politike për forcimin e pushtetit qendror dhe ruatjen e integritetit territorial të vendit. Bosnja ka përjetuar një periudhë të vështirë politike që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 dhe ambicjet për antarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian mbeten të paarritshme në kushtet e realitet aktual në vend:

Elektorati shfaq zhgënjim në masë në sistemin politik ekzistues, që është njollosur edhe nga akuzat për korrupsion dhe tensione të vazhdueshme etnike. Shumë banorë të Bosnjes shprehen se kanë humbur besimin tek politikanët vendas, të cilët i fajësojnë për një numër problemesh ekonomike. Vendi është ende i përçarë në vija etnike dhe qeveria federale duket e paaftë për të marrë vendime, e paralizuar nga mosmarrëveshjet mes udhëheqësve etnikë.

Pas zgjedhjeve parlamentare në tetor 2010, sistemi kompleks politik i Bosnjes u bllokua për 15 muaj nga paaftësia e tre grupeve etnike për të arritur mirëkuptim për formimin e qeverisë.

Zgjidhja që sollën Marrëveshjet e Dejtonit nuk duket se e kanë fashitur problemin që çoi në luftën e viteve ’90. Shtatëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, Bosnja mbetet edhe sot e kësaj dite e mbërthyer në një konflikt të ngrirë.

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik, udhëheqës i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur, është akuzuar nga kritikët për ndezjen e nacionalizmit serb, në vend që të merret me problemet ekonomike dhe sociale. Dodik shihet shpesh në aktivitete publike duke kënduar këngë nacionaliste serbe dhe partia e tij këmbëngul për më shumë autonomi për Republikën Serbe.

Kurt Bassuener, analist politik në Sarajevë thotë se zgjedhjet e sotme do të jenë barometri i zhgënjimit të elektoratit:

“Mendoj se zgjedhjet do të masin dëshpërimin e përgjithshëm publik për gjendjen politike, si dhe zhgënjimin që nga zgjedhjet e fundit dy vjet më parë. Mendoj se partitë në pushtet, sidomos Partia Social Demokrate, do të pësojnë humbje të rëndë si rezultat i kahjes që kanë ndjekur gjatë vitit të fundit”.

Korrupsioni dhe problemet e menaxhimit të dobët ekonomik e kanë shtuar zhgënjimin e votuesve me klasën politike.

Ndërkaq, partitë politike kanë ashpërsuar retorikën radikale. Sonja Karaxhiç, e bija e ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç, dhe themeluese e Partisë Demokratike Serbe, ka bërë apele të hapura në tubime për mbrojtjen e Republikës Serbe, terma që zgjojnë kujtime nga retorika e periudhës së luftës.

Përçarjet e vazhdueshme janë bërë një pengesë serioze në përpjekjet e Bosnjes për antarësim në NATO dhe BE. Bashkimi Evropian e ka thënë qartë se ambicjet për antarësim duhet të shoqërohen me forcimin e qeverisë qendrore.
XS
SM
MD
LG