Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon u është bashkuar udhëheqësve ndërkombëtar në dënimin e Koresë së Veriut për lëshimin e raketës me rreze të gjatë veprimi e cila u shpërbë mbi det pak momente pas lëshimit. Zoti Ban tha se pavarësisht dështimit, veprimet e Phenianit janë për të ardhur keq dhe bien ndesh me qendrimin e vendosur unanim të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, e kritikoi lëshimin, duke thënë se kjo kërcënon sigurinë rajonale dhe tregon se Peniani preferon të bëjë shpenzime të kota për armatim dhe propagandë ndërkohë që populli i Koresë së Veriut vuan nga uria.
Zyrtarët thonë se me sa duket, raketa u shpërbë dhe u rrëzua në det pak pas lëshimit. Agjencia zyrtare e lajmeve të Koresë së Veriut e pranoi dështimin e raketës me tre faza.
“Republika Popullore Demokratike e Koresë lëshoi satelitin e parë nga pista e lëshimit në Cholsan të provincës së Phyongan-it Verior në orën 7:38 të mëngjesit të së premtes. Sateliti për studimin e tokës nuk arriti të futej në orbitë. Shkencëtarët, teknikët dhe ekspertët po shqyrtojnë shkakun e dështimit.”
Shtëpia e Bardhë publikoi menjëherë një deklaratë, që kritikonte lëshimin e raketës së dështuar. Sekretari i Shtypit Jay Carney tha se raketa përbënte kërcënim për sigurinë rajonale.
Koreja e Jugut e dënoi lëshimin si shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që e ndalojnë Phenianin të zhvillojë teste me raketa ballistike. Ministri i Jashtëm Kim Sung-Hwan tha se Seuli po studion kundërmasat.
“Qeveria jonë dënon fuqishëm Korenë e Veriut për lëshimin e raketës duke mospërfillur thirrjet e njëzëshme nga komuniteti ndërkombëtar që të hiqej dorë nga plani. Koreja e Veriut duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për këtë.”
Zëvendës Sekretari i kabinetit japonez, Osamu Fujimura paralajmëroi se Japonia e shikon këtë veprim si provokacion.
“Duhet të themi se ky ishte një procvokacion serioz kundër sigurisë së vendit tonë, dhe në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Është për të ardhur keq dhe ne kemi protestuar ashpër përmes rrugëve diplomatike.”
Forcat japoneze të mbrojtjes, sëbashku me ushtrinë e Koresë së Veriut dhe atë amerikane në rajon, dislokuan bateri kundër raketave në tokë dhe det për ta rrëzuar raketën nëse ajo do të kalonte mbi territorin japonez apo Jugkorean.