Lidhje

SHBA: Bain Capital bëhet pjesë e fushatës presidenciale


Korporatat private rrallë herë janë bërë pjesë e fushatave presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Por analistët thonë se ky vit zgjedhjesh mund të ndryshojë, ndërsa vemendja është përqendruar në kompaninë e investimeve, Bain Capital me seli në Boston të shtetit Masaçusets. Kjo kompani u themelua nga kandidati presidencial Mitt Romney dhe fitimet prej saj e kanë bërë zotin Romney shumë të pasur. Dhe ndërsa intensifikohet fushata presidenciale, rivali i tij demokrat, Presidenti Barak Obama po vë në pikpyetje rolin e zotit Romney në atë kompani kur ai ishte drejtues tek kompania Bain.

Bain Capital është një firmë e pasur private. Në kompani të tilla investimesh, individë dhe institucione të pasura financiare bashkojnë kapitalin e tyre për të blerë korporata, shtojnë përfitimet e tyre para se t’i shesin ato zakonisht me përfitime të mëdha. Bain Capital është një prej kompanive më të njohura me kapital shumë të madh në Shtetet e Bashkuara. Madje kjo firmë thotë se partneret e saj menaxhojnë një kapital prej rreth 60 miliardë dollarësh në 65 kompani.

Kompania thotë se misioni i saj është "të sjellë përfitime të konsiderueshme për investitorët e saj". Këtë javë, Bain Capital, bashkë me disa firma të tjera private amerikane ia shitën kompaninë e dytë më të madhe të kinemave në Amerikë, AMC Entertainment, një konglomerati kinez për 2.6 miliardë dollarë.

Bain Capital u krijua nga Mitt Romney dhe disa njerëz të tjerë të pasur në vitin 1984. Zoti Romney ishte në krye të asaj kompanie deri sa ai u largua në vitin 1999. Ai thotë se kompanitë që Bain Capital bleu dhe riorganizoi gjatë karierës së tij krijuan rreth 100 mijë vende pune. Tani zoti Romney thotë se përvoja e tij në Bain Capital, më shumë se sa përvoja në postin e guvernatorit të shtetit Masaçusets, kanë krijuar tek ai aftësitë e nevojshme për t’i dhënë shtytje ekonomisë së dobët të Amerikës.

Gjatë një takimi fushate kohët e fundit, zoti Romney u tha votuesve se Presidenti Obama ka dështuar në përpjekjet për ta nxjerrë ekonominë amerikane nga gjendja më e rëndë që prej depresionit të madh të viteve 1930-të.

"Kjo është periudha më e gjatë e rimëkëmbjes nga një recesion ekonomik në historinë amerikane, ndërkohë njerzit po vuajnë për shkak të politikave të kësaj administrate".

Ish guvernatori Romney tha se, nëse fiton zgjedhjet e nëntorit, ai do të transformojë qeverinë federale të përfshirë nga deficiti.

"Me vizionin tim, ne do të kemi një buxhet të balancuar në këtë vend. Ne do të marrim drejtimin e duhur dhe më në fund do të ndalim shpenzimet e tepruara".

Presidenti Obama dha fushata e tij kanë një pikpamje tjetër krejt ndryshe lidhur me karierën e zotit Romney në firmën Bain Capital. Ata po transmetojnë reklama në shtete të rëndësishme, duke vënë dukje se si disa prej investimeve të kësaj firme nuk dhanë rezultat, duke shkaktuar eliminimin e mijëra vendeve të punës, ndërkohë që firma krijonte përfitime massive për investimet e saj. Megjithëse këtë javë presidenti e përshkroi sektorin privat të investimeve si një "pjesë të shëndetshme të tregut të lirë", ai theksoi anën e tij negative.

"Mendoj se ka njerëz që bëjnë një punë të mirë në këtë sektor dhe indentifikojnë kapacitetin e ekonomisë për të krijuar vende të reja pune dhe industri të reja, por duhet të kuptojmë se përparësia e tyre është përfitimi maksimal dhe kjo nuk do të jetë gjithnjë positive për komunitetet, bizneset ose punëtorët".

Presidenti Obama e hodhi poshtë argumentin e zotit Romney se përvoja e tij tek firma Bain Capital i jep atij aftësitë e nevojshme për të rimëkëmbur ekonominë amerikane.

"Nëse argumenti kryesor i zoti Romney për zhvillimin ekonomik është se ai di si të bëjë shumë para për investitorët, atëhere ai nuk e kupton domethënien e punës së presidentit. Nuk po them se zoti Romney nuk ka punuar për të mirën e firmës private të investimeve, por kjo nuk është puna e presidentit. Puna ime është që të kem parasysh mbarëvajtjen e të gjithëve dhe jo vetëm disave. Puna ime është të sigurohem që ekonomia amerikane zhvillohet jo vetëm tani, por edhe pas 10 ose 20 vjetësh".

Shumë votues amerikanë mund të mos kenë dëgjuar rreth firmës Bain Capital ose mund të dinë shumë pak rreth saj gjatë kohës kur Mitt Romney ishte në krye të firmës. Por ndërsa kanë mbetur më pak se 6 muaj nga dita e zgjedhjeve, analistët thonë se është mëse e sigurtë që Bain Capital do të luajë një rol të rendësishëm në fushatën presidenciale të këtij viti.
XS
SM
MD
LG