Lidhje

Shqipëri: kanceri i gjirit dhe frika që pengon mjekimin


Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, por në Shqipëri, krahas veprimtarive të ndryshme, mungojnë statistika të plota mbi përhapjen e sëmundjes.

Veprimtaret pohojnë se sëmundjen e shoqërojnë mendësitë dhe frika që pengojnë mjekimin e hershëm të saj.

Nënave shqiptare të prekura nga kanceri i gjirit u shtohen cdo vit të paktën 500 gra të reja.

Shifrat nuk janë të plota, sepse mungon një regjistër kombëtar i kësaj sëmundje dhe sepse në statistikat e Institutit të Shëndetit Publik janë vetëm ato që diagnostikohen në spitalet shtetërore dhe nuk përfshihen ato që zbulohen e mjekohen në klinika dhe spitale private.

Veprimtaret zhvillojnë herë pas here tubime dhe konferenca ndërgjegjësuese me gra e vajza në të gjithë vendin, ku japin këshilla për kujdesin ndaj kësaj sëmundje krejt të kurueshme nëse zbulohet herët.

Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare ka mbi 9 vjet që ndihmon për ndërgjegjësimin e grave shqiptare për kancerin e gjirit, e mbështetur nga ambasada amerikane në Tiranë dhe nga një seri aktorësh të tjerë. “Mesazhi i sivjetëm i fushatës është “Burrat mbështesin Gratë e tyre në luftën kundër kancerit të gjirit” - thotë Donika Godaj, drejtuese e kësaj shoqate.

Administrata e shëndetësisë ka marrë masa në përballimin e kësaj sëmundjeje përmes protokolleve profesionale, por veprimtarët pohojnë se ato janë përqëndruar vetëm në Tiranë, dhe më pak në qytete të tjera.

Ato pohojnë që edhe pse kanë mbështetjen e plotë të burrave, janë vetë gratë që kanë mendësinë për të mos u kujdesur për sëmundjen, që të mos rëndojnë gjendjen e familjes.

Vetësakrifikimi i tyre shkon deri në atë pikë sa ato parapëlqejnë më lehtë të mos e zbulojnë sëmundjen se sa ta mjekojnë atë.

Shkaqet nga vjen kanceri i gjirit janë të ndryshme; stili i jetës, ndotjet e mjedisit, ushqimi, duhani apo drogat e përdorura, por përballja me të nis me një zbulim të shpejtë dhe vijon me një mjekim këmbëngulës deri në mposhtjen e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG