Lidhje

Britania vazhdon negociatat me BE


Kryeministrja britanike Theresa May po përpiqet të bindë udhëheqësit evropianë të rinegociojnë marrëveshjen e Britanisë për daljen nga Bashkimi Evropian. Një shumicë e konsiderueshme e anëtarëve të parlamentit kanë thënë se do të votojnë kundër marrëveshjes, nëse kryeministrja nuk arrin të sigurojë lëshime për kufirin mes Irlandës së Veriut që është pjesë e Britanisë dhe Irlandës si republikë e pavarur që do të mbetet pjesë e BE-së.

Në takimin në Bruksel, udhëheqësit e BE-së hodhën poshtë idenë e koncesioneve të mëdha. Kryeministrja May vazhdon negociatat ndërkohë që ka marrë një goditje të rëndë këtë javë, pasi një e treta e ligjvënësve të partisë së saj votoi kundër saj në votën e mosbesimit. Përplasjet politike duken mjaft të ndërlikuara për momentin në Britani:

Kryeministrja Britanike përsëri në Bruksel me kërkesën për lëshime:

“Nuk pres sukses të menjëhershëm, por shpresoj që të fillojmë punë sa më shpejt që të jetë e mundur për të marrë garancitë e nevojshme”.

Por mund të duhen më tepër se garanci. Shumë parlamentarë britanikë janë kundër propozimit që do të mbajë ose Britaninë, ose Irlandën e Veriut të mbërthyer në disa rregulla të BE-së, nëse nuk arrihet një marrëveshje tregtare.

Synimi është që të mos vendoset një kufi i plotë mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, pasi kjo mund të shkaktojë trazira sektare. As Dublini, as Brukseli nuk po lëkunden:

“Marrëveshja që kemi është e vetmja që po diskutohet,” tha kryeministri i Irlandës.

“Mendoj se është e rëndësishme të shmangen të gjitha paqartësitë. Nuk mund të rihapim një marrëveshje ligjore,” tha presidenti francez.

Brukseli thotë se do të ofrojë garanci me shkrim se do të bëjë çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje tregtare. Por kjo nuk mjafton për kritikët e zonjës May.

“Duhet një marrëveshje serioze, e detyrueshme dhe e qartë që i kërkon BE-së të marrë një vendim përfundimtar. Ata duhet ta marrin vendimin, jo ne. Nëse duan marrëveshje, të lëvizin,” thotë Duncan Smith, anëtar konservator i parlamentit britanik.

Por analistët thonë se Evropa nuk do të shohë më pas.

“Brexiti tani është problem i Britanisë. Aktualisht është një temë e rëndësishme në shtypin dhe politikën britanike. Por për BE-në nuk është aq i rëndësishëm,” thotë analisti Gregory Claeys.

E ardhmja politike e Theresa Mayt varet tek Brexiti. Dhjetëra anëtarë të parlamentit nga partia e kryeministres thonë se do të votojnë kundër marrëveshjes nëse lejohet që kufiri mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës të mbetet i hapur. Vota përfundimtare është shtyrë për në janar.

Anketat tregojnë se po rritet shtysa për një referendum tjetër. Aktivistët dolën nëpër rrugë duke kërkuar që vendimi t’i kalojë përsëri popullit, pasi parlamenti nuk po gjen zgjidhje.

Evropa do ta ndihmojë Kryeministren May të arrijë një marrëveshje, por jo me çdo kusht. Në Bruksel dhe në Londër po intensifikohen përgatitjet për skenarin e mundshëm që Britania të mos arrijë një marrëveshje së shpejti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG