Lidhje

Në kërkim të adoleshenteve britanike


Familjet e tri vajzave britanike që mendohet se janë nisur drejt Sirisë për t’u bashkuar me luftëtarë të grupit ISIS, kanë bërë një apel publik për kthimin e tyre pranë të afërmve.

Vajzat, të tria shoqe nga një shkollë në pjesën lindore të Londrës, u zhdukën të martën e kaluar pa lënë mesazhe. Autoritetet britanike thonë se vajzat udhëtuan me linjën Turkish Airlines drejt Stambollit.

Të afërmit e Shamima Begumit dhe Amira Abases, të dyja 15-vjeçare si dhe 16-vjeçares Kadiza Sultana folën të emocionuar në komentet për televizionin britanik:

“Është një akt tepër i ulët dhe keqdashës që të bindësh të rinj tepër inteligjentë, si motra ime që ishte nxënëse e dalluar. T’i bindësh këta të rinj në një moshë kaq delikate është mëkat, pasi po përçahen familje të tëra”.

Hussen Abase, babai i Amira Abase

“Mesazhi që dua t’i përcjell Amiras është që të kthehet në shtëpi, pasi na ka marrë malli dhe nuk po na ndalen lotët. Mendohu mirë, mos shko në Siri”.

Halima Khanom, motra e Kadiza Sultana

“Dua që ta dish se të duam shumë dhe na mungon shumë. Të gjithë po vuajmë, sidomos nëna. Nuk e dimë nëse je shëndoshë e mirë. Na kontakto, na thuaj që je mirë. Vetëm këtë duam”.

Policia turke ka bashkuar forcat me homologët britanikë për të gjetur vajzat. Dje zyrtarët turq kritikuan Britaninë që kishte pritur kaq gjatë para se të kontaktonte Ankaranë për zhdukjen e vajzave.

Mijëra shtetas të huaj nga më shumë se 80 vende janë bashkuar me ISIS dhe grupe të tjera radikale në Siri dhe Irak; shumë prej tyre kalojnë tranzit përmes Turqisë.

XS
SM
MD
LG