Lidhje

Britani, parlamenti debaton ndryshimet në marrëveshjen Brexit


Kryeministrja britanike Theresa May tha sot se është koha për t’i dërguar një "mesazh të fortë" Bashkimit Europian për atë që Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar dëshiron të arrijë me marrëveshjen Brexit.

Ligjvënësit pritet të votojnë për një numër ndryshimesh në marrëveshjen e qeverisë, ku jepen hollësitë se si do të dalë vendi nga Bashkimi Evropian.

Negociatorëve të të dyja palëve iu deshën 18 muaj për arritjen e marrëveshjes, por ajo kërkon miratimin e parlamentit. Ndërkaq, një votim i zhvilluar në mes të janarit në parlament rezultoi me një humbje të madhe për planin e Kryeministres Theresa May.

Zonja May ka deklaruar se do të vazhdojë planet për marrëveshjen, por do të kërkojë disa ndryshime për të fituar mbështetjen e nevojshme.

“Sot ne mund dhe duhet të përqendrojmë të gjitha përpjekjet për të siguruar një marrëveshje të mirë me BE-në që të na mundësojë të largohemi në mënyrë të qetë dhe të rregullt më 29 mars", tha zonja May në Parlament.

Një propozim ka të bëjë me njërin ndër shqetësimet më të mëdha të atyre që kundërshtojnë marrëveshjen. Ata nuk pranojnë një dispozitë e cila e mban Britaninë në një bashkim doganor me Bashkimin Evropian, për të siguruar një kufi të hapur midis Irlandës së Veriut dhe anëtares së BE-së, Irlandës.

Partia konservatore e zonjës May po mbështet tani ato që ajo i quan "masa alternative" për të kapërcyer shqetësimet rreth lidhjes së politikave të Britanisë me rregullat e BE-së.

Nuk është e sigurt nëse këto ndryshime do të ishin të mjaftueshme për të fituar miratimin në parlament.

Ekziston edhe çështja nëse Bashkimi Europian do të binte dakord t’i bënte ndryshime marrëveshjes. Gjatë gjithë debatit në Britani, udhëheqësit e BE-së kanë thënë vazhdimisht se nuk kanë ndërmend të bëjnë ndryshime.

Britania do të largohet nga blloku më 29 mars.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG