Lidhje

Bizneset britanike pro qëndrimit në BE


Mbi 200 udhëheqës biznesi publikuan sot një letër në mbështetje të qëndrimit të Britanisë në Bashkimin Evropian. Ata paralajmërojnë për rrezikun ndaj investimeve dhe vendeve të punës nëse Britania vendos në referendumin e qershorit të largohet nga blloku prej 28 vendesh.

Në letrën u publikuar në gazetën “The Times” thuhet se biznesit britanik i nevojitet qasje e pakufizuar në tregun evropian për të vazhduar rritjen dhe investimet.

Një ndër mbështetësit kryesorë të largimit nga BE-ja, kryetari i bashkisë së Londrës, Boris Johnson, rikujtoi se bizneset patën paralajmëruar për rreziqe edhe kur Britania vendosi të mos i bashkohet monedhës Euro.

“Sigurisht që do të ketë njerëz që përpiqen të shkaktojnë alarm dhe ankth. Patëm pak a shumë diçka të tillë kur do merrej vendimi nëse do t’i bashkoheshim apo jo Euros, si dhe 20 vite më parë për Mekanizmin Evropian të Këmbimit të Monedhave. Në të dyja rastet, këta njerëz u gabuan. Tashmë kemi mundësinë e shkëlqyer të arrijmë marrëveshje të reja që do ta bëjnë Britaninë pikë kyçe të shkëmbimeve tregtare të botës. Është një e ardhme fantastike.”

Britania ruajti monedhën paund dhe kështu i shpëtoi trazirave të eurozonës gjatë viteve të fundit.

Letra e sotshme u nënshkrua nga drejtuesit ekzekutivë të disa prej bizneseve më të mëdha të vendit, si BP, Shell dhe Burberry.

Letra u nënshkrua edhe prej drejtuesve të aeroporteve Heathrow dhe Gatwick.

“Arsyeja pse mbështesim qëndrimin në një BE të reformuar është sepse ne jemi aeroporti më i madh i Britanisë dhe e kuptojmë vlerën e tregtisë dhe rolin që ajo luan në ekonominë e vendit. Mbretëria e Bashkuar ka përfituar së tepërmi prej zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë. Shembull i mirë është aviacioni, ku shohim uljen e madhe të kostove të fluturimit prej anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”

Ndër nënshkruesit e letrës mungojnë disa firma të rëndësishme, si shefat e kompanive Tesco dhe Barclays.

Letra u krijua me ndihmën e zyrës së Kryeministrit David Cameron.

XS
SM
MD
LG