Lidhje

Britania ofron ndihmë për opozitën siriane


Hague: Fondet do të përdoren për të blerë telefona satelitorë, gjeneratorë energjie dhe pajisje mjekësore, jo armë

Qeveria britanike ofroi sot 7.8 milionë dollarë ndihma për forcat kryengritëse të Sirisë për blerjen e pajisjeve të komunikimit dhe furnizimeve mjekësore në përpjekje për të forcuar lidhjet me opozitën siriane. Sekretari i Jashtëm William Hague bëri komente mbi ndihmën e re:

Sekretari Hague këmbënguli se Britania nuk do të ofrojë armë, por konfirmoi se fondet në fjalë do të përdoren për të blerë telefona satelitorë, gjeneratorë energjie dhe pajisje mjekësore.

William Hague, Sekretar i Jashtëm britanik
"Populli i Sirisë nuk mund të presë pa fund. Njerëzit janë duke vdekur dhe shpesh janë pa ushqim e strehim, ata janë në mëshirën e një regjimi i cili ndjek këmba-këmbës kundërshtarët, një ushtrie që i ka kthyer armët kundër civilëve dhe milicive që kryejnë krime barbare. Populli sirian ka nevojë për ndihmë urgjente dhe sot ne po rrisim ndjeshëm ndihmën tonë për t’i mbështetur ata."

Ai tha se diplomatët do të intensifikojnë kontaktet me krahun politik të Ushtrisë së Lirë siriane ndërkohë që rritet shqetësimi mbi drejtimin që do të merrte vendi pas rrëzimit të Presidentit Bashar Asad.

Shtypja nga Assadi e kryengritjes popullore që filloi në mars të vitit 2011 ka çuar në një luftë të hapur civile. Aktivistët e të drejtave të njeriut vlerësojnë se së paku 19.000 njerëz kanë vdekur në këtë konflikt.
Britania, e cila më parë është treguar e kujdesshme gjatë bisedimeve të drejtpërdrejta me kryengritësit e Sirisë, shqetësohet se vendi mund të kthehet në strehë për al-Kaidën dhe ekstremistët e tjerë në qoftë se komuniteti ndërkombëtar nuk i ndihmon kryengritësit të përgatiten për përmbysjen e Asadit.

William Hague, Sekretari i Jashtëm britanik
"Ne nuk po u japim atyre këshilla ushtarake. Mendoj se është shumë e rëndësishme për ne që të ndihmojmë në përgatitjet për ditën pas Asadit. Ky është sipas mendimit tonë një regjim i dënuar të zhduket megjithëse ai është ende i pamëshirshëm, ende jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ka ende një ushtri të fortë”.

Britania i kishte ofruar më parë opozitës siriane 2,2 milionë dollarë ndihma në formë pajisjesh jo-luftarake dhe rreth 43 milion dollarë ndihma humanitare.
XS
SM
MD
LG