Sipas vendit organizator të konferencës botërore për Klimën, Britanisë, fundi i qymyrgurit po afron, pasi dhjetëra vende u zotuan të ndalin përdorimin e tij dhe financimin e burimeve të ngurta energjitike. Por, siç njofton nga takimi në Glasgou korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, shkëputja e ekonomisë nga qymyrguri nuk do të jetë e lehtë, as për vetë Britaninë.
Djegia e qymyrgurit është faktori kryesor që ndikon tek ndryshimet klimatike. Mbi 40 vende u zotuan të enjten gjatë takimit global COP26 ta heqin nga përdorimi qymyrgurin. Vendet e pasura vendosën si afat vitin 2030, ndërsa vendet e varfra vitin 2040. Ndër vendet nënshkruese radhiten konsumatorë të mëdhenj, si Vietnami, Indonezia, Polonia dhe Ukraina.
Së bashku me disa banka dhe institucione globale financiare, ata u zotuan gjithashtu t'i japin fund investimit për energjinë nga qymyrguri.
"Angazhimi për t'i dhënë fund të gjitha investimeve, për të shtuar energjinë e pastër, për të bërë një tranzicion të drejtë dhe për ta larguar qymyrgurin deri në vitet 2030-të nga ekonomitë kryesore, dhe deri në vitet 2040-të në vendet e tjera", tha Alok Sharma, president i konferencës COP26.
Por shumë nga konsumatorët më të mëdhenj në botë të qymyrgurit, përfshirë Kinën, Shtetet e Bashkuara, Australia dhe India, nuk e nënshkruan këtë marrëveshje. Ndërkohë, niveli i ndotjes nga dioksidi i karbonit është rritur pothuajse sërish në nivelin që kishte përpara pandemisë.
"Shohim një rritje të shpejtë të ndotjes në Kinë, e nxitur në veçanti ndoshta nga paketat stimuluese për ekonominë", thotë Corinne Le Quere, profesore e shkencës së ndryshimit klimatik.
Gjithashtu, 25 vende, ndër to edhe Shtetet e Bashkuara, u zotuan t'i japin fund deri vitin tjetër financimit në vende të tjera të projekteve për energjinë nga burimet fosile. Megjithatë, nuk nënshkruan vende kryesore që investojnë tek qymyrguri, si Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut.
Britania, vendi organizator i konferencës COP26, thotë se marrëveshjet e shumta që u arritën tregojnë se "fundi i qymyrgurit po afron". Megjithatë, ky fund nuk duket shumë i afërt.
Vetë Britania po shqyrton hapjen e një miniere të re për të nxjerrë qymyrgurin që do të përdoret për industrinë e prodhimit të çelikut. Kryeministri Boris Johnson ka shprehur kundërshtimin e tij, por thotë se është një çështje që i përket qeverisjes lokale në Copeland. Kryebashkiaku e mbështet projektin e minierës.
"Nëse do të kemi revolucionin e blertë industrial që na nevojitet për të shfrytëzuar energjinë nga dielli, era, valët, dhe madje këtu do të dëshironim shumë edhe energjinë bërthamore, për të gjitha këto do të nevojiten sasi të mëdha çeliku", thotë kryebashkiaku Mike Starkie.
Britania po shqyrton edhe mundësinë e një zone të re naftënxjerrëse në ishujt Shetland të Skocisë, jo larg nga Glasgou, qyteti organizator i takimit për klimën.
Ndërkohë, Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë tha të enjten se nëse do të përmbusheshin zotimet e ndërmarra në konferencën për klimën COP26, ngrohja globale do të kufizohej brenda nivelit të 2 gradëve Celsius, një përmirësim domethënës krahasuar me rritjen me 2.7 gradë Celsius të parashikuar nga OKB-ja përpara fillimit të takimit ndërkombëtar.
Facebook Forum