Lidhje

Bujqit e rinj dhe lëvizja për produkte të freskëta


Bujqit e rinj dhe lëvizja për produkte të freskëta
Bujqit e rinj dhe lëvizja për produkte të freskëta

Kërkesa në rritje për të ushqyer popullatën e globit po rrit rëndësinë dhe rolin e bujqësisë pas disa dekadave në rënie. Në Amerikë, për herë të parë prej dekadash, puna në bujqësi po merr nuanca pozitive. Lëvizja mbarëkombëtare, e ushqyer edhe nga përbuzja për bujqësinë masive nga kompani të mëdha, po frymëzon shumë të rinj pa përvojë në bujqësi të hyjnë në këtë fushë – veçanërisht për të prodhuar në sasi të vogla produktet bujqësore lokale dhe organike. Por a do të mund të arrijë kjo lëvizje t’i mbijetojë realitetit të egër të botës së biznesit?

Në mjediset e Universitetit Duke në Karolinën e Veriut po zhvillohet festivali i parë i të korrave në fermën e re të universitetit. Menaxherja e fermës Emily Sloss po u tregon vizitorëve një parcelë me zarzavate dhe erëza.

“Nuk përdorim plehra kimikë apo pesticide”, thotë ajo.


Sloss u diplomua nga universiteti vitin e kaluar, jo në bujqësi por në politikat publike. Ajo kishte dëshirë të vazhdonte studimet pasuniversiteare për planifikimin urban.

Kjo fermere aksidentale e ktheu në realitet një projekt mësimor për të analizuar idenë e ngritjes së një ferme në universitet. Vetëm në vitin e parë, ferma ka furnizuar mencën e kampusit me më shumë se dy tonë produkte të freskëta. Nate Peterson drejton mencën e universitetit Duke.

“Produktet janë të shkëlqyera dhe vijnë drejt nga parcela në mencën tonë… cilësia është e përsosur”, thotë ai.

Por si përfundoi Sloss nga dega që kishte në bujqësi?

“U bë e qartë se duhet të bënim dicka – ose më mirë të them – unë duhet të bëja diçka për mënyrën sesa ushqehesha.”

Dhe ajo nuk është e vetmja. Maureen Moody është antropologe që studion çfarë i motivon fermerët e rinj. Tani ajo është vetë fermere, në një qendër jo fitimprurëse pranë Uashingtonit.


“Shumë nga ata që po bëhen fermerë nuk janë njerëz që tradicionalisht mendojnë si fermerët. Unë dhe shumë të tjerë që njoh, nuk u rritëm në fermë. As nuk kemi shkuar në shkollë bujqësore.”

Filma popullorë si për shembull Food Inc., po ndihmojnë në angazhimin e të rinjve në bujqësi. Këta filma dhe shumë libra të shitur, kritikojnë prodhimin masiv amerikan të ushqimit për dëmtimin e shëndetit dhe të mjedisit. Kërkesa për produkte të kultivuara në ferma të vogla po shtohet dhe po kthehet në biznes me një vlerë prej të paktën 5 miliardë dollarë.

Por shumë që provojnë bujqësinë zbulojnë se realiteti i këtij biznesi është shumë më i vështirë nga sa e mendonin. Maureen Moody thotë se shumë dështojnë.

“Është shumë e vështirë ta vazhdosh pas disa vitesh. Disa e bëjnë këtë dhe gjejnë mënyra për sukses. Por është e vështirë të bësh para dhe të jetosh me këtë punë.”

Ferma e universiteti Duke ka avantazhe që nuk i kanë shumë sipërmarrje të vogla: studentët punojnë falas, dhe mbështetet nga universiteti. Por Emily Sloss thotë se fermerët këtu duan të vërtetojnë se mund të sigurojnë jetesën me këtë punë.

“Besojmë se nëse Universiteti Duke që ka tokën falas dhe shumë krah pune falas nuk është fitimprurës, atëhere lëvizja për produkte bujqësore lokale nuk mund të arrihet”.

Kthimi i kësaj lëvizjeje në realitet nuk është i lehtë. Por Maureen Moody thotë se ata sapo kanë filluar.

"Ashtu si çdo lëvizje sociale, duhen njerëz që janë të gatshëm të përballojnë dhimbjen që shoqërohet me gjetjen e mënyrës së suksesit”.

Ferma e universitetit feston sezonin e parë të operimit si biznes. Shumë nga vështirësitë e rritjes janë përpara. E njëjta gjë mund të thuhet për lëvizjen që ajo përfaqëson. Këto janë kohë ngazëllyese, por të vështira për fermerët e rinj që të shijojnë frytet e para të jetës në bujqësi.

XS
SM
MD
LG