Lidhje

Burns dënon deklaratat e zotit Trump


Të mërkurën kandidati republikan Donald Trump shkaktoi reagime të ashpra nga të dyja krahët e politikës për komentet që bëri duke thënë se do të ishte mirë sikur Rusia të arrinte të siguronte emailet e fshira të zonjës Klinton, duke iu referuar e-maileve nga koha kur ajo ishte sekretare shteti që përdorte një server privat dhe ajo atë të qeverisë.

“I drejtohem Rusisë, nëse më dëgjoni, përpiqeni të gjeni 30 mijë emailet e zhdukura. Mendoj se shtypi do t’jua shpërblejë dukshëm”.

Burns dënon deklaratat e zotit Trump
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Komentet e zotit Trump shkaktuan një reagim të ndezur tek folësit në Kuvendin Demokrat, përfshirë ish-Sekretarin e Mbrojtjes Leon Panetta, si dhe ish-Nënsekretarin e Shtetit Nicholas Burns, i cili foli me Zërin e Amerikës:

“Mendoj se këto janë komente të turpshme. Nuk mund të përfytyroj ndonjë udhëheqës tjetër amerikan të thotë diçka të tillë. Donald Trump po inkurajon qeverinë ruse të piratojë sistemin email të një kandidateje demokrate për presidente, kjo është kundër vlerave tona si amerikanë, është tradhti ndaj interesave tona, tregon gjykim jashtëzakonisht të gabuar nga ana e tij”.

Ish-ndihmës Sekretari i Shtetit, tha se kjo nuk ishte thjesht një lajthitje e çastit sepse më vonë ai e përsëriti në Twitter, pra me shkrim. Zoti Burns, i cili këshillon fushatën e zonjës Clinton për çështje ndërkombëtare tha se këto nuk janë vlera që mbrojnë amerikanët.

Zoti Burns komentoi edhe për deklaratat e zotit Trump për NATO-n javën e kaluar, sipas së cilave nëse ai zgjidhej president nuk do të vendoste automatikisht për mbrojtjen e vendeve aleate, nëse ato kërcënoheshin nga Rusia. Zoti Burns tha se deklarata e zotit Trump ishte krejt pa vend dhe theksoi se vendet balltike dhe të Evropës lindore i drejtojnë sytë nga anëtari më i fuqishëm i Aleancës, SHBA, që të jetë i qartë në sinjalet që dërgon ndaj tyre. Nga ana tjetër, Putini duhet të bindet që çdo përpjekje ruse për destabilizimin e një vendi të NATO-s do të hasë në forcë.

“Ajo që zoti Trump tha javën e kaluar për NATO-n, e dëmton krejt besueshmërinë e Aleancës. Ishte Presidenti amerikan Harry Truman që negocioi traktatin e NATO-s. Që nga Presidenti Truman e deri te Barak Obama, kemi patur shumë presidentë republikanë dhe demokratë, por Donald Trump po del kundër të gjithë atyre”.

Duke iu referuar historisë, zoti Burns tha se republikanët kanë një traditë në politikën e jashtme me presidentë si Ronald Reagan, George H. W. Bush, Dwight Eisenhower, të cilët kanë qenë të gjithë për fuqinë ushtarake amerikane dhe për një udhëheqje parimore.

Duke folur për Ballkanin, Nick Burns tha se vërtet vendet e rajonit dëshirojnë të ecin drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE, por kjo kërkon që udhëheqësit e Ballkanit të përmbushin disa detyrime:

“NATO-ja dhe Bashkimi Evropian nuk janë klube ku mund të hysh pa detyrime. Për të hyrë aty duhet të zbatosh detyrime, të praktikosh të drejtat e njeriut dhe t’i mbrosh ato, te jesh demokraci, të luftosh korrupsionin në qeverisje dhe në shoqëri. Ky do të jetë një proces gradual, por një proces që duhet bërë, sepse ne e duam Europën të jetë demokratike në vështrimin afatgjatë, të jetë e qëndrueshme dhe e bashkuar”.

Dhe zoti Burns mendon se Ballkani duhet të jetë përparësi në politikën e jashtme amerikane.

“Mendoj se Ballkani duhet të jetë një përparësi, sepse 20 vjet më parë ne angazhuam trupa në Bosnje dhe në Kosovë dhe mendoj se ishte një vendim i drejtë i Presidentit Clinton për dërgimin e trupave amerikane atje. Por puna nuk ka mbaruar. Këto shoqëri dhe qeveri duhet të bëjnë një rrugë të gjatë përpara se të shqyrtohen kandidaturat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo duhet të jetë një përparësi si për Evropën ashtu edhe për SHBA", tha ai.

Tani demokratët presin momentin më kulmor të javës: fjalimin që do të mbajë sonte zonja Clinton ku ajo do të pranojë emërimin e Partisë Demokrate, si e para grua që përfaqëson një parti kryesore politike në zgjedhjet presidenciale amerikane.

XS
SM
MD
LG