Lidhje

ByteDance, marrëveshje me Oracle për aplikacionin TikTok?


TikTok

Kompania kineze ByteDance, e ka cila ka në zotërim aplikacionin popullor TikTok, ka refuzuar ofertën e Microsoft-it për të blerë këtë aplikacion dhe duket se po anon nga një marrëveshje me investitorët e udhëhequr nga kompania Oracle.

Administrata Trump i ka dhënë afat ByteDance deri më 20 shtator për të bërë një marrëveshje ose për të ndalur veprimtarinë brenda SHBA-së. Të dielën, gazeta New York Times raportoi se oferta e Microsoft-it u refuzua nga ByteDance dhe se kompania kineze tha se Oracle do të ishte "partneri i saj i teknologjisë". Mbeten të paqarta kushtet e marrëveshjes që po diskutohen.

Në një deklaratë, kompania Microsoft tha se propozimi i saj "do të kishte qenë i mirë për përdoruesit e TikTok-ut, ndërsa do të garantonte dhe mbrojtjen e interesave të lidhura me sigurinë kombëtare. Ne do të kishim bërë ndryshime të rëndësishme për të siguruar që shërbimi të përmbushte standardet më të larta për sigurinë, privatësinë, sigurinë në internet dhe luftën ndaj dezinformimit”.

Fati i TikTok-ut në SHBA mbetet i paqartë ndërsa afrohet afati i vendosur nga administra Trump. Në muajt e fundit, aplikacioni është shndërruar në qendër të tensioneve SHBA-Kinë. Administrata amerikane ka akuzuar kompaninë se i jep të dhëna qeverisë kineze, akuza që TikTok-u i ka hedhur poshtë.

Në gusht, Presidenti Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv duke ndaluar TikTok-un dhe WeChat-in aplikacionin kinez të mesazheve.

Por pavarësisht shqetësimeve mbi sigurinë në lidhje me TikTok-un, amerikanët kanë vazhduar ta shkarkojnë aplikacionin.

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2020, TikTok-u rezultoi se ishte shkarkuar nga më shumë se 300 milionë amerikanë, sipas të dhënave të Go.Verizon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG