Kryeministri britanik, David Cameron tha se do të ishte një "gabim i madh" të detyrosh vendet e veçanta evropiane të bashkohen në një njësi të vetme. Duke folur sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, zoti Cameron tha se ai nuk dëshiron të ketë të bëjë fare me një "vend të quajtur Evropë." Ndërkohë, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri thirrje për një bashkim më të fuqishëm ekonomik dhe monetar.
Kryeministri Cameron tronditi peisazhin politik të Evropës këtë javë duke propozuar që britanikët të votojnë me referendum nëse do të largohen nga Bashkimi Evropian prej 27-vendesh.
Ai tha sot në Davos se nuk mendon që Evropa duhet të synojë të arrijë një bashkim politik, i cili do ta bënte atë t'i ngjante një vendi të vetëm.
"Mendoj se vendet e Evropës kanë historitë, traditat, institucionet e tyre, duan sovranitetin e tyre. Të përpiqesh t'i fusësh me zor këto vende në një bashkim politik të centralizuar do të ishte një gabim i madh për Evropën dhe Britania nuk do të bëhej pjesë e kësaj. Por nëse e keni fjalën që në Evropë ne duhet të kemi vullnet më të madh politik për të punuar së bashku, atëhere po, unë jam plotësisht dakord," tha kryeministri britanik.
Udhëheqës të tjerë evropianë e akuzojnë zotin Cameron se po e vë në rrezik të ardhmen e bllokut për shkak të nevojave të politikës së tij të brendshme.
Disa delegatë në Davos kanë shprehur shqetësimin se mungesa e unitetit në mesin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian mund të pengojë përpjekjet për të rigjallëruar rritjen ekonomike.
Pak orë pas fjalimit të zotit Cameron, Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje në Davos për forcimin e reformave në Bashkimin Evropian. Ajo tha se Bashkimi Evropian duhet të përfitojë plotësisht nga kriza e tanishme e borxhit për të modernizuar dhe rritur fuqinë konkurruese.
"Ne kemi rënë të gjithë dakord në Bashkimin Evropian se synojmë të vazhdojmë ta zhvillojmë bashkimin ekonomik dhe monetar për ta kthyer në një bashkim të qëndrueshmërisë në Evropë. Këtu nuk është fjala për një operacion afatshkurtër emergjence por për një rrugë të gjatë", tha zonja Merkel.
Iaian Begg, ekspert për Evropën në Shkollën Ekonomike të Londrës, thotë se ndryshimet që kërkon zoti Cameron janë të vogla, por ai shton se probleme të tilla, nëse zmadhohen tej mase, rrezikojnë vendin e Britanisë në një pakt ekonomik dhe tregtar për të cilin ajo ka nevojë.
"Mendoj se kjo do ta dëmtonte Britaninë, sepse të jesh brenda ombrellës së madhe në këtë botë globale gjithnjë e më armiqësore, është mirë se sa të jesh vetëm."
Shumë politikanë evropianë, veçanërisht ata të Eurozonës, mendojnë se forcimi i lidhjeve politike është i nevojshëm. Disa madje mendojnë se synimi i Evropës duhet të jetë krijimi i një bashkimi politik i ngjashëm me Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri britanik ka shkaktuar tronditje me propozimin që britanikët të votojnë me referendum nëse duhet të largohen nga BE