Lidhje

SHBA falenderojnë Shqipërinë për sistemimin e refugjatëve


Jennifer Psaki
Jennifer Psaki

Deri tani, në Shqipëri janë dërguar për t'u sistemuar 71 persona nga Kampi Hurriya i Irakut, ku siguria e tyre është e kërcënuar

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Jennifer Psaki tha se Shtetet e Bashkuara falenderojnë Shqipërinë për zemërgjerësinë e treguar në operacionin humanitar për sistemimin e dhjetra personave nga kampi Hurriya i Irakut.

Deri tani, tha zëdhënësja në një deklaratë, në Shqipëri janë dërguar për t'u sistemuar 71 persona si pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe SHBA presin sistemimin e të tjerëve sa më shpejt që të jetë e mundur. Më 19 dhe 21 qershor, dy grupe të kampit Hurriya, gjithsej 27 vetë, u sistemuan në mënyrë të përhershme në Shqipëri. Ky hap u ndërmor në përgjigje të ofertës bujare të qeverisë shqiptare për të pranuar 210 persona nga ky kamp.

SHBA, thuhet në deklaratë, mbështesin fuqimisht punën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Misionit të Ndihmës të OKB-së në Irak dhe përpjekjet e palodhura të zotit Martin Kobler, Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, për sistemimin jashtë Irakut të banorëve të mbetur të kampit. Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje udhëheqjes së grupit Mujahedin-e Khalk dhe të gjitha palëve përgjegjëse që të garantojnë bashkëpunim të plotë me procesin e risistemimit.

Sistemimi i banorëve të Kampit Hurriya jashtë Irakut është një mision humanitar dhe jetik për sigurinë e tyre. Kjo është një çështje tepër e ngutshme për shkak të kërcënimeve të pranishme në këtë kamp, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
XS
SM
MD
LG