Lidhje

Qeveria dhe opozita polemika mbi ekonominë


Qeveria dhe opozita paraqitën sot dy pamje krejt të kundërta të situatës ekonomike të vendit, duke komentuar të treguesit më të fundit dhe qëndrimet e Bashkimit Europian, FMN dhe Bankës Botërore ndaj Tiranës zyrtare në këtë fushë. Komisioni Europian vendosi që Shqipëria të vetadministrojë 64 milionë euro nga fondet IPA të BE.
Programi IPA, Shqipëria merr 64 milion euro
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00


Pjesëtarë të qeverisë pohuan se ky vendim është një shenjë besimi i BE për qeverinë shqiptare, dhe një dëshmi se Shqipëria ka një administratë efikase. Ministri i financave, Shkëlqim Cani tha për shtypin se ky akreditim ka një rëndësi të veçantë pasi përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe politikat e zhvillimit kombëtar.

“Ky lajm shpreh besimin e madh që institucionet ndërkombëtare në veçanti, dhe në këtë rast BE, kanë ndaj kësaj qeverie, pasi akreditimi vjen pas auditimit të strukturave shqiptare nga autoritetet e Komisionit Evropian dhe kuptohet pas përmbushjes prej nesh të rekomandimeve të tyre” - tha ministri Cani.

Zoti Cani tha se sfidë më vete mbetet zbatimi i këtij projekti nga administrata shqiptare. Ai theksoi se marrëveshje të tilla të rëndësishme me donatorë strategjikë si BB, FMN dhe BE janë mbështetësit kryesor të programit qeveritar. “Angazhimi i qeverisë shqiptare ka konsistuar gjithashtu në krijimin e strukturave profesionale përkatëse në çdo ministri dhe në përgatitjen e tyre për menaxhimin e këtyre fondeve, gjë e cila tregon gatishmërinë për të arritur rezultatet konkrete në procesin e integrimit evropian” - tha ai.

Por për opozitën gjendja ekonomike është tejet e rënduar dhe larg premtimeve dhe parashikimeve qeveritare. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri të ditur se duke nisur nga kjo javë në parlament dhe në çdo qytet opozita do të kërkojë nga qeveria të mbajë premtimet dhe të ndihmojë qytetarët që të përballojnë krizën e ekonomisë reale, e cila po rëndohet më tej me taksa dhe çmime. Ai tha se qeveria nuk po zbaton premtimet e saj ekonomike dhe po hedh hapa në drejtime të tjera, që nuk i ka përmendur më parë, duke rënduar financat familjare.

Zoti Basha tha se nismat private po pakësohen, sepse rreziqet po shtohen për shkak të krizës dhe për shkak të mjedisit mbytës që ka krijuar qeveria me politikat e saj. investimet private janë në nivele shumë të dobëta, tha ai, ndërsa kredia për sektorin privat vazhdon të jetë në rënie, si në 3 muajt e fundit të 2013 ashtu edhe në 3 muajt e parë të këtij viti.

Opozita foli përëri me shqetësim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, rritjen e moshës së pensionit dhe një seri prej 7-8 taksash dhe akcizash mbi qytetarët dhe bizneset. Ndërsa qeveria nga ana e saj ka hedhur poshtë si të pavërteta komentet e opozitës, duke theksuar se po ndjek me vendosmëri programin qeveritar për daljen nga kriza dhe shëndoshjen e ekonomisë së vendit, që e mori nga demokratët në pikën më të keqe, sa u takon borxheve dhe deficiteve. Gara mes qeverisë dhe opozitës është vendosur prej afro një viti në fushën ekonomike; në parlament dhe në komunikime të tjera ekonomi po mbizotërojnë skenën e debateve publike.

XS
SM
MD
LG