Lidhje

Shqipëria dhe FMN arrijnë marrëveshje prej 300 milionë euro


Shqipëria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ranë dje dakord të hartojnë një paketë masash për rritje të qëndrueshme ekonomike, njëkohësisht me shlyerjen e borxheve dhe reformimin e sistemit fiskal. Stafi i FMN-së dhe përfaqësues të qeverisë arritën marrëveshjen për një program ekonomik për tre vjet, i financuar nga FMN me 300 milionë euro, me kushte të buta, me normë interesi 2-3 për qind dhe mospagimi i kapitalit 4,5 deri në 10 vjet.

Marrëveshja do të shqyrtohet nga bordi drejtues i FMN-së në janar. Programi ekonomik, i fokusuar në disa fusha reforma, sipas përfaqësuesit të Fondit, Nadeem Ilahi, ofron mbështetje të fuqishme për rimëkëmbjen ekonomike, masa fiskale dhe strukturore. "Programi parashikon që borxhet të shlyhen pa penguar rritjen ekonomike. Shlyerja e borxheve do të nxitë edhe konsolidimin fiskal dhe do të përmirësojë sistemin bankar për një zinxhir detyrimesh, që palët ia kanë njëra tjetrës" - tha ai.

Masat fiskale do të jenë të moderuara, që të mos preket rritja ekonomike. në këtë pikë programi është elastik; kur ekonomia shfaqet më e dobët objektivat fiskale do të zbutet, nëse ekonomia ecën më shpejt edhe objektivat fiskale do të rriten. FMN dhe qeveria ranë dakord që baza tatimore do të zgjerohet dhe që masat fiskale do të jenë të drejta, duke i trajtuar të gjithë taksapaguesit njëlloj.

Programi parashikon që shlyerja e detyrimeve të prapambetura do të jenë transparente, dhe do të bëhet një strategji që të mos krijohen më detyrime të reja në të ardhmen. Po ashtu, sipas FMN, krahas doganave, nevojë për reformim kanë edhe sektori i energjisë edhe sistemi i pensioneve.

Ndërsa ministri i financave, Shkëlqim Cani, deklaroi se ekonomia shqiptare është ngadalësuar dukshëm; rritja reale është 1,3 për qind, dhe vitin tjetër do të jetë 2 për qind, larg objektivave. Kërkesa në tregje është e dobët, kredia është e ulët dhe një pjesë e saj është e papaguar. Remitancat kanë rënë prej krizës në eurozonë. Ekonomia është nën potencialin e vet.

Zoti Cani tha se nxitja e ekonomisë përmes rritjes së borxhit nuk është një opsion i dëshiruar. “Tashmë borxhi publik është i kushtueshëm, dhe interesat e tij janë gjysma e investimeve. prandaj duhen gjetur rrugë të reja, për përmirësimin e klimës së biznesit. Qeveria do të shlyjë nga janari rreth 35 miliardë lekë nga faturat e papaguara që u ka detyrim bizneseve. Vitin e ardhshëm qeveria është angazhuar që në të ardhmen të mos krijohen më vonesa dhe e rrit besimin e biznesit dhe do ta nxitë më tej atë” - tha ai.

Marrëveshja parashikon që për periudhën afatmesme të gjendet një balancë mes uljes së borxhit dhe rritjes ekonomike. Zoti Cani tha se rritja e bazës së tatimeve është rrugë më e mirë se sa ulja e shpenzimeve, ndërkohë që korrupsioni në mbledhjen e taksave do të luftohet më fort. Thelbi i reformave në këtë sektor, sipas tij, është trajtimi i barabartë i taksa-paguesve.

FMN dhe qeveria shqiptare ranë dakord gjithashtu që të kryejnë reforma të tjera afatmesme si reforma në sistemin e pensioneve, në energjitikë, në titujt e pronësisë etj. Gjatë negociatave tremujore ekspertët konstatuan se ekonomia shqiptare po rritet ngadalë dhe nën potencialin e saj dhe se treguesit financiarë po përkeqësohen. Ndaj duhen, sipas tyre, politika të reja financiare dhe monetare, që të trajtohet shqetësimi kryesor i vendit, rritja e ulët ekonomike.

XS
SM
MD
LG