Lidhje

Humbjet kolosale të firmës Cantor Fitzgerald në 11 shtator 2001


Më 11 shtator 2001, në mjediset nga kati i 101-të deri në katin e 105-të në kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë ndodhesin 658 punonjës të firmës së investimeve Cantor Fitzgerald. Kur avioni i rrëmbyer goditi kullën, të gjithë punonjësit humbën jetën. Ata përfaqësojnë një të katërtën e 3000 viktimave që humbën jetën në shkallë vendi nga sulmet terroriste të 11 shtatorit. Në vazhdim një vështrim nga afër mbi këtë humbje kolosale për firmën dhe familjet dhe situatën 11 vjet më pas:

Shpërthimi është përjetësuar në xhirimet televizive. Por pamjet nuk tregojnë humbjen që pësuan 1 mijë fëmijët e punonjësve të firmës Cantor Fitgerald që vdiqën gjatë sulmit, as 38 bashkëshortet shtatzëna që mbeten të veja.

Doug Gardner ishte një ndër viktimat. Motra e tij, Danielle Gardner me profesion regjisore, nderon kujtimin e tij në një dokumentar mbi tragjedinë me titull “Out of the Clear Blue Sky” – “Papritmas nga Qielli i Pastër”.
“Doja që njerëzit të dëgjonin për një marrëdhënie mes një motre e një vëllai, e karakterizuar nga mirësia dhe zemërgjerësia dhe shpresoj se do ta kuptojnë se çfarë humbje pësuam”.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Howard Lutnick i shpëtoi sulmit pasi nuk ishte në zyrë atë ditë. Por i vëllai vdiq. Ai flet për marrëdhëniet që u krijuan mes të afërmve të viktimave:
“Mbetën të habitur dhe të prekur kur zbuluan se kishte familje të tjera me fëmijë të së njëjtës moshë. Pra arritën të gjejnë ngushëllim në shoqërinë e njëri-tjetrit, ku mund të shpreheshin lirshëm e të dëgjonin të tjerët”.

Ndërkohë që rrënojat ende digjeshin, familjet ushqenin shpresën se ndonjë nga viktimat mund të gjendej gjallë. Zoti Lutnick premtoi të ndihmonte familjet e viktimave, por më pas, krejt papritur ai pezulloi pagimin e çeqeve për familjet e punonjësve të vdekur. Ky gjest që u komentua si një akt i pamëshirshëm, ishte i domosdoshëm shpjegon zoti Lutnick:
“Kishim dy alternativa, ose të mbyllnim firmën dhe të merreshim me funeralet e 658 viktimave, pra 20 funerale në ditë për 35 ditë rresht. Ose t’i ktheheshim punës më me përkushtim se kurrë më parë, në mënyrë që t’i ndihmonim këto familje”.

Sot firma Cantor Fitzgerald është rivendosur më në veri në Manhatan dhe po lulëzon përsëri me 1700 punonjës, ose 700 më shumë se 11 vjet më parë. Firma u ka dhuruar mbi 180 milionë dollarë familjeve të viktimave.

Ndërtesa të reja po ngrihen në kompleksin e Qendrës Botërore të Tregtisë por Cantor Fitzgerald nuk ka plan të kthehet përsëri në zonë.

Danielle Gardner thotë se nuk mund të zëvendësohet ajo që është humbur:
“Ndërtesat ishin të mbushura me njerëz. Kam pasur mundësinë të futem brenda, të shoh që gjallonte një botë e tërë ku mijëra vetë vinin përditë në punë, zhvillonin aktivitetin e tyre të përditshëm”.

Emrat e afro 3000 viktimave të 11 shtatorit janë të gdhendura në pllakat që rrethojnë ujvarën e krijuar aty ku dikur ngriheshin kullat binjake.

Howard Lutnick kërkoi me ngulm që emrat e 658 punonjësve të firmës Cantor Fitzgerald të ishin në të njëjtin grup, në mënyrë që të mbeten gjithmonë bashkë në përjetësi.
XS
SM
MD
LG