Lidhje

Katalonja, provë për të ardhmen e Bashkimit Evropian


Pas Brexit, zgjedhjeve në Gjermani dhe Austri, krizës në Katalonjë dhe një referendumi në veri të Italisë, mes analistëve janë shtruar pyetje të reja, nëse Evropa mund të jenë në rrezik shpërbërjeje. Siç njofton korrespondenti i shërbimit maqedonas në Zërin e Amerikës, Jane Bojaxhevski, analistët thonë se përballja mes Madridit dhe Barcelonës mbi aspiratat e katalanëve për pavarësi shikohet si veçanërisht e dëmshme për të ardhmen e bllokut.

Kërkesa e Katalonjës për pavarësi dhe reagimi i qeverisë qendrore në Spanjë është kriza e fundit që kërcënon të minojë unitetin brenda Bashkimit Evropian. Ndarja e mundshme nxitet nga një numër faktorësh, thotë eksperti Christopher Hall me Qendrën për Politikat e Sigurisë.

“Kriza e refugjatëve ka ndikuar shumë tek polarizimi brenda vendeve. Së dyti, ajo që do ta quaja marksizëm kulturor, është një përputhshmëri me elitat evropiane, që ekziston edhe këtu në Amerikë – siç janë të qënit politikisht korrekt, për të mos thënë gjëra që njerëzit e dinë që janë të vërteta. Dhe së treti është Rusia e cila po përpiqet në mënyrë aktive të ndajë Evropën dhe fatkeqësisht ka patur sukses në këtë drejtim.”

Por të tjerët, si ish diplomati amerikan Don Jensen, thonë se këto dallime nxiten pjesërisht nga mosdija dhe apatia – diçka që rusët po e përdorin në favor të tyre. Donald Jensen është me Qendrën për Mardhëniet Transatlantike.

“Klasa e mesme evropiane është e pakënaqur me projektin evropian për shkakt të imigracionit, problemeve ekonomike dhe sepse nuk shohin përgjegjshmëri nga burokracia në Bruksel ndaj shqetësimeve të tyre. Kjo krijon dobësi që mund të shfrytëzohen nga rusët dhe po e bëjnë këtë.”

Anketat e fundit tregojnë që evropianët janë të ndarë, Irlanda mbështet fuqishëm projektin evropian ndërsa shumica e popullsisë në Itali dhe Greqi nuk kanë përfituar nga anëtarësia në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, zbulimi rus është i përqendruar në Katalonjë për të zgjeruar influencën, sipas gazetarit spanjoll , Pablo Pardo për El Mundo në Madrid.

“Media ruse dhe individë nga WikiLeaks të lidhur me Rusinë në një mënyrë ose tjetër papritmas po bëhen ekspertë për krizën katalane. Ndikimi rus po rritet në mënyra shumë të ndryshme. Në njërin krah kemi ndikim të qartë të forcave nacionaliste; në krahun tejtër kemi ndikimin e forcave të majta, ekstremit të djathtë. Rusia po mundohet të përforcojë ose japë nxitje të gjitha llojeve të forcave që kundërshtojnë strukturën aktuale të pushtetit në Evropë.”

Komisioni Evropian nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Katalonjës duke thënë se do të merret vetëm me qeverinë qendrore të Madridit. Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy shpërndau parlamentin katalan dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohëshme me 21 dhjetor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG