Lidhje

SHBA: Çështja e imigracionit përçan hispanikët republikanë


SHBA: Çështja e imigracionit përçan hispanikët republikanë
SHBA: Çështja e imigracionit përçan hispanikët republikanë

Një ligj i ri në shtetin kufitar të Arizonës, në jug të Shteteve të Bashkuara, policia kërkon t’u kontrollojë njerëzve statusin e imigrantit, krahas zbatimit të ligjeve të tjera. Një vendim i një gjykatësi federal bllokon dispozitat kryesore të ligjit, por kjo mbetet një çështje e debatueshme, sidomos brenda komunitetit hispanik të Arizonës , në prag të zgjedhjeve të ardhshme shtetërore dhe federale.

Në fillim të vitit, guvernatorja e Arizonës, Jan Brewer, nënshkroi në ligj, projektligjin e debatueshëm të shtetit për imigracionin, të njohur si Ligji 1070. Megjithëse guvernatorja Brewer ka patur mjaft përkrahje, sipas anketimeve, ligji e ka përçarë komunitetin hispanik të këtij shteti.

Xhesi Hernendez është kryetar i Shoqatës së Republikanëve Hispanikë të Arizonës. Ai e mbështet ligjin e ri të imigracionit.

"Jan Brewer do ta verë në zbatim ligjin 1070, ndërsa rivali i saj demokrat, nuk do ta bënte një gjë të tillë".

Hernandez dhe përkrahësit e tij thonë se ligji synon të parandalojë diskriminimin, por shumë hispanikë thonë se ligji është diskriminues, dhe se ata do ta cilësonin atë si tradhëti.

"Ata do të na thonë se jemi racistë, se jemi kthyer kundër popullit, duke na sharë me nofkën, “arrë kokosi” ngjyrë kafe nga jashtë dhe i bardhë nga brenda. Dhe kjo tregon pikërisht se sa injorantë dhe të paarsimuar janë".

Dee Dee Garcia-Blase kryeson grupin Somos Republicans, “Ne jemi republikanë”. Ajo është mes atyre hispanikëve republikanë të cilët e kundërshtojnë ligjin e imigracionit dhe janë të pakënaqur me drejtuesit partiakë të shtetit.

Zonja Blase po përpiqet të shtojë radhët e organizatës së saj me republikanë hispanikë nga i gjithë vendi.

"Jemi konservatorë nga pikëpamja sociale dhe jemi krenarë për këtë, ne jemi për një qeveri të vogël, për pakësimin e taksave, por ligji i Senatit 1070 është si një provë me lakmus, ndërsa ne vazhdojmë të nxisim shtimin e numrit të republikanëve hispanikë".

Avokati për imigracionin, Hoze Penalosa, thotë se Partia Republikane po bën një gabim të madh, duke i armiqësuar hispanikët.

"Fuqia e votës së hispanikëve do të ketë ndikim dhe partia republikane do t’i hedhë një vështrim së kaluarës dhe do ta kuptojë se ka bërë një lloj vetvrasjeje gjatë zgjedhjeve, duke mos ju drejtuar brezit të ri të hispanikëve".

Anketimet e opinionit flasin për mbështetje të madhe për Ligjin 1070, prandaj republikanët mund të dalin mirë në zgjedhjet e nëntorit. Por me rritjen e numrit të bazës së votuesve hispanikë, parashikimet për zgjedhjet e ardhshme mund të ndryshojnë.

Votuesit hispanikë mbështetën demokratët në raportin 2 me 1 në zgjedhjet e kohëve të fundit në Arizona dhe ndërsa rritet baza e komunitetit dhe e votuesve, zëdhënësja e Partisë Demokrate Jennifer Johnson thotë se partia e saj mund t’i fitojë zgjedhjet.

"Shohim një rritje të interesimit në regjistrimin e njerëzve për të votuar. Në komunitetin e latinëve ka patur mjaft aktivitet përsa i përket regjistrimit të votuesve, në përpjekje për t’u dhënë njerëzve një mjet për të shprehur shqetësimin dhe zemërimin që ndjejnë".

Por shumë familje hispanike mbeten të ndara lidhur me çështjen dhe Jesse Hernandes thotë se kjo gjendje pasqyrohet tek dështimi i qeverisë federale për t’i dhënë fund imigracionit të paligjshëm në kufi.

XS
SM
MD
LG