Çështja para Gjykatës së Lartë është Esther Kiobel kundër kompanisë së naftës Royal Dutch Shell.
Zonja Kiobel është e veja e njërit prej 9 udhëheqësve të protestuesve anti-Shell, të cilët u ekzekutuan nga ushtria në vitin 1995.
Kompania Shell, me qendër në Hollandë dhe e regjistruar në Britani, është kompania e pestë më e madhe në botë.
Në anën e paditësve, Jennifer Green, profesoreshë në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Minesotës, shpjegon rëndësinë e seancës së sotme dëgjimore.
“Çështja që shtrohet para trupit gjykues është nëse korporatat janë imune për shkeljet e të drejtave të njeriut. Ne mendojmë se principi më i rëndësishëm është fakti që kompanitë që veprojnë në Shtetet e Bashkuara i nënshtrohen ligjeve të Shteteve të Bashkuara dhe këto ligje ndalojnë shkeljen e të drejtave të njeriut. Pra, kur një korporatë bashkëpunon në këto shkelje, mund të shpallet përgjegjëse sipas Statutit të Shkeljeve Kundër të Huajve”.
Ky ligj i vitit 1789 mbeti krejtësisht i papërdorur deri në vitet ’80, por qysh atëherë është marrë parasysh disa herë.
Statuti i Shkeljeve Kundër të Huajve i lejon gjykatave të shqyrtojnë padi të paraqitura prej të huajve lidhur me shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe të traktateve të Shteteve të Bashkuara.
Ben Ikeri, banues në SHBA dhe pjesëmarrës në protestat e viteve ’90 në rajonin Ogoni të Nigerisë, thotë se sot do të organizojë protesta jashtë ndërtesës së Gjykatës së Lartë. Ai shprehet se ndihet krenar për përpjekjet e tij të gjata kundër degjenerimit të mjedisit i shkaktuar nga kompanitë e naftës.
“Rasti i protestave paqësore që ne filluam në Ogon është shndërruar në një lloj inkurajimi për njerëz të tjerë të shtypur në Nigeri, apo edhe në Afrikë në përgjithësi, duke u shtrirë edhe në të gjithë botën. Tani njerëzit mund të përballen ose mund të sfidojnë korporata shumëkombëshe, të mëdha, të forta, të pasura si Shell. Pra, frika e tyre është larguar.”
Çështje gjyqësore të ngjashme, të filluara nga të afërm të udhëheqësit të protestuesve Ken Saro-Wiwa, çuan në vitin 2009 në një marrëveshje midis palëve, me anë të së cilës kompania Shell duhet të paguante kundrejt paditësve një shumë prej 15,5 milionë dollarësh.
Marrëveshja u arrit pas 13 vitesh beteja ligjore, pak para fillimit të planifikuar të një procesi përpara gjykatës federale të Nju Jorkut.
Zyrtarë të kompanisë Shell mohuan me forcë çdo lloj përfshirjeje në vrasjet e kryera, por thanë se ata pranonin që paditësit dhe të tjerë kishin vuajtur.
Përsa i përket çështjes së tanishme Kioble, Gjykata e Lartë do të vendosë vetëm nëse ky proces mund apo të zhvillohet në gjykata amerikane.
Për momentin, Marco Simon, drejtori ligjor i firmës Earthrights International, thotë se mund të ketë ende shumë pengesa.
“Kompania Shell mund të argumentojë se çështja duhet të shqyrtohet në Nigeri, mund të argumentojë se pala paditëse nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar se Shell ishte e përfshirë në shkeljet në fjalë të të drejtave të njeriut.”
Zyrtarë të kompanisë Shell nuk reaguan me ndonjë koment lidhur me këtë njoftim.
Avokatët e kompanisë së naftës Shell më parë kanë thënë se korporatat nuk duhet të konsiderohen përgjegjëse në çështje të tilla, sepse nëse kjo ndodh ato mund të jenë më pak të prirura për të punuar në vende ku ka shkelje të të drejtave të njeriut në mënyrë të rregullt.
Qeveria e Britanisë, Hollandës dhe ajo e Gjermanisë, si dhe Dhoma amerikane e Tregëtisë dhe kompani të tjera të mëdha kanë mbështetur kompaninë Shell, duke thënë se ajo që ka ndodhur në Nigeri nuk ka lidhje me Shtetet e Bashkuara.
Administrata e Presidentit Barak Obama dhe organizata të të drejtave të njeriut mbështesin argumentin pro përgjegjësisë së korporatave.
Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të jepet deri në fund të muajit qershor.