Lidhje

Pas ngjarjeve në Charleston


Ndërkohë që po del më shumë informacion rreth ideologjisë së supremacisë së bardhë të të dyshuarit Dylann Roof, po zhvillohet një debat nëse vrasja e nëntëve afrikano-amerikanëve besimtarë duhet të quhet një sulm terrorist. Aktivistët e të drejtave të njeriut kërkojnë të përdoret ky emërtim.

Ndërkohë që në Charleston varroseshin të vdekurit gjatë javës pas masakrës në kishë, një fjalë nisi dëgjohej gjithnjë e më shumë: fjala “terror”.

“Jo e rastësishme, por si një mënyrë kontrolli, një mënyrë terrori dhe shtypjeje.”

Vrasjet pasojnë një histori të gjatë dhune racore në jugun amerikan nga grupe ekstremiste si Ku Klux Klani, që vazhdon të ketë celula aktive në mbarë vendin.

Aktivisti i të drejtave të njeriut Marc Morial thotë se emërtimi me fjalën “terror” është i përshtatshëm për rastin në Charleston.

“Kur mendoj për terrorizmin, unë mendoj për një dhunë që mbështet një ideologji politike... një dhunë që ushqen besimin e fshehur thellë se viktimat janë disi inferiore, nën-standard, dhe janë një kërcënim.”

Në vendngjarje, në Charleston, edhe jo-aktivistë përdorin të njëjtin term.

“Ky është një sulm serioz terrorist ndaj kombit tonë, prej dikujt nga kombi ynë.”

Gjatë 20 viteve që nga shpërthimi i kryer prej Timothy McVeigh ndaj një ndërtese federale në Oklahoma, dhe deri në vrasjet me armë në Charleston, të dyja sulme të brendshme, “lufta kundër terrorit” e Shteteve të Bashkuara është fokusuar tek kërcënimet e jashtme.

Megjithatë, që nga viti 2001, sulmues të së djathtës, përfshirë supremacistë të bardhë, kanë vrarë 48 persona, pothuajse dyfishin e të vrarëve nga persona me motive xhihadiste, sipas të dhënave të Fondacionit Amerika e Re.

Michael German është ish-agjent i FBI-së.

“Terrorizmi është gjithnjë një fjalë me ngarkesë politike... Është shumë e rëndësishme të ruhet një vazhdimësi për ideologjitë e ndryshme, përndryshe shëmbëllen diskriminuese, dhe se dhuna nga minoritetet merret më seriozisht se sa dhuna ndaj minoriteteve.”

Zyrtarët federalë po hetojnë nëse vrasjet me armë në Charleston mund të kualifikohen ligjërisht si terrorizëm. Por, emërtimi “terror” nuk do të përkthehet në një dënim më të rëndë për Dylann Roof, nëse gjendet fajtor. 21-vjeçari përballet tashmë me dënimin me vdekje.

Për më tepër, kreu i organizatës më të vjetër të të drejtave civile, NAACP, thotë se megjithëse ishte një veprim terrorist, autori nuk arriti të terrorizojë komunitetin zezak, apo vendin.

“Qëllimi i tij ishte që me të gjitha mënyrat, të fillonte një luftë civile. Ajo ku pati sukses ishte se ngjalli një luftë të re kundër racizmit. Kjo është ajo çka arriti.”

XS
SM
MD
LG