Lidhje

Kongresi do të shqyrtojë ndalimin e fëmijëve imigrantë


Në SHBA, Kongresi mund ta shqyrtojë një vendim lidhur me mbajtjen e fëmijëve të imigrantëve në qendra ndalimi.

E ashtuquajtura “marrëveshja Flores” e kufizon deri në 20 ditë kohën që fëmijët mund të mbahen të ndaluar. Kjo marrëveshje bie ndesh me planet e adminsitratës Trump për ndalimin e familjeve së bashku, kur ato kalojnë ilegalisht kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Në fillim të shtatorit, administrata propozoi një rregull që do t’i lejonte fëmijët imigrantë të mbahen jo më tepër se 20 ditë, krahas me anëtarët e rritur të familjes.

Por siç theskoi këtë javë senatori republikan i shtetit Uiskonsin, Ron Johnson, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe Çështje Qeveritare të Senatit, gjykatat nuk ka gjasa që ta lejojnë ndryshimin e rregullit të propozuar.

“Ka shumë mundësi që gjykatat të ndërhyjnë dhe kjo rregullore të mos hyjë kurrë në fuqi,” tha senatori Johnson.

Aktualisht ky vendim është në periudhën kur komentohet nga publiku.

Pa ndërhyrjen e Kongresit, agjencitë që zbatojnë politikat e imigracionit do ta kenë të vështirë. Ato kanë vetëm dy mundësi kur familjet hyjnë ilegalisht në vend.

“Të dyja këto mundësi nuk janë të mira”, tha Johnson. “Ne ose duhet të zbatojmë ligjin, dhe atëhere do të detyrohemi t’i ndajmë fëmijët nga prindërit; (askush nuk do që kjo të ndodhë). Kjo politikë nuk zbatohet më. Ose të kthehemi tek epoka e politikës së Obamës – kur familje ndalohen, ne nuk jemi në gjendje t’i mbajmë ato, nuk mund të përcaktojmë se kush do të kujdeset për ta dhe i lirojmë ato brenda vendit.”

Komisioni Buxhetor i Dhomës së Përfaqësuesve miratoi një amendament në qershor, i cili do të anulonte vendimin “Flores” dhe do të lejonte ndalimin e fëmijëve për një kohë të pacaktuar.

Por senatorët demokratë e kundërshtuan me forcë ndalimin e fëmijëve.

Duke cituar koston e lartë të ndërtimit të objekteve shtesë të ndalimit dhe mbajtjen atje të njerëzve, senatorja demokrate e Misurit Claire McCaskill, bëri thirrje për përmirësime në sistemin e imigracionit, ku familjet mund të mbahen për vite me radhë, para se çështjet e tyre t’i kalojnë për shqyrtim gjykatave të imigracionit.

“Sistemi ynë për përcaktimin e azilit nuk është aspak efiçent. Ne duhet të fillojmë me një ligj që kërkon që i gjithë dokumentacioni të jetë elektronik. Çdo sitem që kemi është elektronik, përveç këtij të imigracionit,”- tha senatorja McCaskill.

Gjykatat e imigracionit kanë aktualisht rreth 800 mijë çështje të prapambetura.

Shëndeti mendor i fëmijëve

Për senatorët e tjerë demokratë, kjo çështje ka të bëjë me shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve.

“Për mua kjo seancë dëgjimore ka të bëjë me çështjen, në se qeveria federale duhet t’i mbajë për një kohë të pacaktuar këta fëmijë të ndaluar, në pritje të shqyrtimit të çështjes së tyre nga gjykatësi. Sinqerisht, ky qëndrim nuk i përshtatet vendit tonë”, deklaroi senatorja demokrate e Nju Hampshërit, Maggie Hassan.

Numri i fëmijëve të ndaluar u rrit në 12,800 vetë në shtator. Shumica e tyre janë në moshë minorene dhe ata janë të pashoqëruar nga të rritur; 419 prej tyre janë të ndarë nga familjet, në pritje për t’u ribashkuar.

Anëtarë të një paneli prej katër dëshmitarësh qeveritarë në seancën dëgjimore, theksuan se bazuar tek sistemi i tanishëm, ka ndryshime mes familjeve dhe të rriturve beqarë që kalojnë kufirin. Këta të fundit ndalohen, ndërsa familjet lirohen.

Sipas Ndihmës Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë Joseph Edlow, ka një ndryshim të madh edhe në kohën e shpalljes së gjykimit. Statusi i imigrantit për personat e ndaluar është rreth 40 ditë, për të pandaluarit, janë 752 ditë.

Zoti Edlow la të kuptohet se qeveria do t’i qëndrojë vendimit të propozuar. “Departamenti do të jetë gati për t’i mbrojtur sfidat që i dalin përpara.”- u tha ai senatorëve.

Për Senatorin Johnson, kjo situatë është një mundësi që i jepet Kongresit, që të veprojë, “duke miratuar një ligj, për ta rregulluar këtë problem.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG