Dhuna me armë vazhdon në qytetin e Çikagos në shtetin Illinoi, ku afro 2 mijë njerëz janë qëlluar me armë zjarri. Megjithëse numri i përgjithshëm ka pësuar rënie të vogël që nga viti i kaluar, problemi ka tërhequr vëmendjen e administratës së Presidentit Trump, e cila ka urdhëruar më shumë agjentë federalë për të ndihmuar organet lokale dhe shtetërore të rendit. Shtimi i pranisë policore nuk ka sjellë shumë ndryshim për ata që janë më të rrezikuarit nga dhuna e vazhdueshme.
Kur mori vesh lajmin e 5 korrikut se më shumë se 100 njerëz ishin qëlluar me armë zjarri në Çikago në një periudhë katër ditore, ku 15 kishin qënë fatale, gjashtëmbëdhjetë vjeçari Carlos Yanez, mblodhi supet.
“Pas njëfarë kohe mësohesh me situatën. Çfarë të bësh? Nuk kemi askënd që të na ndihmojë. Çfarë mund të bëjmë?”
Djaloshi thotë se shtimi i pranisë policore dhe vëmendja kombëtare ndaj dhunës atje nuk i ka ndihmuar ata që jetojnë në lagjet e Çikagos jugore.
“Vazhdon prej kohësh dhe vetëm sa përkeqësohet. Gjithë këto makina policie dhe pajisje të reja, por ende nuk ka zgjidhje për dhunën.”
Ai i ka shpëtuar mrekullisht dhunës. Ai thotë se nuk ka lidhje me ndonjë bandë, por u ka shpëtuar pesë herë plumbave. Shumë prej njerëzve rreth tij janë plagosur apo vrarë. Berto Aguayo është organizator me “Projektin e Ringjalljes”.
“Jam qëlluar me armë. Dhuna e bandave u ka marrë jetën miqve të mi. Humba mikun tim të parë kur isha vetëm 13 vjeç. Kjo është histori tipike e atyre që jetojnë në anën jugore të Çikagos. Vdekja është një frikë e vazhdueshme.”
Frika duket më e largët në këto rrugë në lagjen ku u rrit Bert Aguayo.
Ritmi i daulles zëvendëson zhurmën e të shtënave këtë të premte ndërsa Aguayo udhëheq një grup, kryesisht të rinj, në një marshim për “Shtimin e Paqes”.
“Përpiqemi të rrimë brenda një blloku dhe të kemi një prezencë pozitive, dhe nxisim paqen përmes të rinjëve.”
Kjo ngjarje “Shtimi i Paqes” në kishën e Shën Jozefit është e para e një serie marshimesh të planifikuara për disa të premte gjatë verës në disa lagje të Çikagos. Por organizatorja Deztinee Geiger e pranon se veprimtari të tilla nuk kanë shumë ndikim.
“Rrënja e problemit është mungesa e burimeve që rezulton në dhunë. Për të menjanuar egzistencën e dhunës duhet përmirësuar situata e mungesës së burimeve.”
Një burim i tillë, thotë ajo, mund të jetë një qendër komuniteti për të rinjtë, një vend i përhershëm ku të rinjtë të shkojnë për aktivitete pozitive dhe të shëndosha. Me apo pa këto burime, thotë ajo, synimi kryesor është ndryshimi i përceptimit për dhunë.
“Nuk mendoj se dhuna do të na formojë. Udhëheqja nga të rinjtë do të na formojë. E mira e këtij aktiviteti është se ne nuk jemi fokusuar tek dhuna.”
Por dhuna vazhdon në Çikago. Gjatë fundjavës kur u organizua aktiviteti për “Shtimin e Paqes”, 41 njerëz u qëlluan me armë zjarri, tre prej tyre humbën jetën.