Lidhje

Cila do të jetë trashëgimia e Hamid Karzait në Afganistan?


Presidenti afgan Hamid Karzai, që e ka udhëhequr vendin e tij për më shumë se 12 vjet, do të lërë detyrën pas votimeve të kësaj jave për zgjedhjen e një presidenti të ri. Me kushetutë, 56 vjeçari Karzai nuk lejohet më të konkurrojë përsëri dhe largimi i tij nga detyra pas zgjedhjeve të së shtunës, konsiderohet gjerësisht si një testament i tragjëgimisë së tij të qendrueshme.

Zgjedhjet e 5 prillit do të jenë një moment kyç në historinë e vendit. Do të shënojnë, tranzicionin e parë demokratik të pushtetit që pas rënies së Talebanëve.

Kandidati afgan për president, Hedayat Arsala që ka qenë një nga ministrat kryesorë nën Presidentin Karzai, e vlerësoi atë për përpjekjet në drejtim të zgjedhjeve të lira dhe të drejta dhe për largimin paqësor nga detyra.

“Do të jetë e para herë në historinë e Afganistanit që një president do të zëvendësohet në rrugë demokratike dhe në bazë të vullnetit të popullit dhe do të jetë ai që e bën të mundur një gjë të tillë dhe ky është një nder në vetvete. Përtej kësaj, nëse ai lejon që të bëhen manipulime për transferim pushteti tek një person i caktuar, mendoj se kjo do ta minonte trashëgiminë e tij historike”.

Zgjedhjet e kësaj jave janë bërë të mundura nga një kushtetutë, për hartimin e së cilës ka kontribuar zoti Karzai dhe që nuk e lejon atë të kandidojë për një mandat të tretë pesëvjeçar. Graeme Smith, një analist me Grupin Ndërkombëtar të Krizave thotë se këto zgjedhje mund të garantojnë vendin e zotit Karzai në histori.

“Hamid Karzai do të lërë pas një trashëgimi pozitive, në kuptimin që do të jetë babai i një vendi relativisht demokratik. Ai do të jetë gjithashtu, udhëheqësi i parë që do t’ia dorëzojë pushtetin një pasuesi në mënyrë paqësore dhe ky do të jetë kalimi i parë paqësor i pushtetit në Afganistan që nga viti 1901, prandaj kjo mund të kthehet në një trashëgimi shumë pozitive”.

Zoti Karzai, është kritikuar shpesh për mungesën e suksesit në luftën kundër korrupsionit dhe shtypjes së kryengritjes Talebane, por ai shihet gjithashtu si një udhëheqës që mund të sjellë unitetin e shumë grupeve etnike dhe fraksioneve të vendit.

Zalmay Khalilzad, ish-ambasador amerikan në Afganistan, thotë se megjithëse ka pasur të meta gjatë viteve të presidencës së tij, përparimi i administratës së zotit Karzai është i konsiderueshëm.

“Mendoj se trashëgimia e Presidentit Karzai është përgjithësisht pozitive. Sipas mendimit tim, ai gjeti një gjendje shumë të vështirë, një vend që ishte në varfëri të skajshme, përsa i takon ekonomisë, gjendjes sociale dhe zhvillimit, përsa u takon institucioneve shtetërore, marrëdhënieve mes komuniteteve. Një gjendje shumë e vështirë dhe gjatë kësaj periudhe, Afganistani ka shënuar shumë arritje. Ai ka luajtur rol në bashkimin e komuniteteve të ndryshme. Ai nuk ka futur njerëz në burg, thjesht sepse kishin mendime të ndryshme prej tij. Liria e shprehjes është respektuar”.

Në disa zona të Afganistanit, shkollat po rihapen, ka më shumë mundësi për gratë dhe institucionet qeveritare po funksionojnë. Por në drejtime të tjera, korrupsioni mbetet shumë i përhapur. Mungesa e efektivitetit të qeverisë dhe varfëria e madhe konsolidojnë mbështetjen për Talebanët.

Në vitin e tij të fundit në detyrë, zoti Karzai e ka distancuar gjithnjë e më shumë veten nga Shtetet e Bashkuara që ndihmuan në sjelljen e tij në pushtet, duke refuzuar të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe, të cilën ai ndihmoi ta negocionte, për rolin e forcave amerikane pas vitit 2014. Zoti Karzai ka thënë se do t’ia lërë këtë vendim, presidentit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG